Zaevi: Kushtet në burgje, jashtë çdo standardi

298

Kryeministri Zaev ka vizituar burgun e Idrizovës me ftesë të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit në Maqedoni…

Zaevi e ka cilësuar katastrofale gjendjen në burgjet e vendit, ndërsa gjendjen e të burgosurve si jashtë çdo standardi.

“Nëse sipas standardit duhet të ketë 850 të burgosur këtu, në Idrizovë janë 1.850 të burgosur. Kjo në vetvete tregon se çfarë gjendje është këtu. Kjo për njerëzit me shëndet të dobët është problem shtesë. Cilësia e ushqimit është problem më vete. Të burgosurit thonë se marrin minimumin e vitaminave të nevojshme për një vakt, ushqimi u sillet nga familjarët, madje edhe gatuajnë vetë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Një nga zgjidhjet, sipas Zaevit, është Ligji për amnisti, temë e cila, siç tha, është tashmë e hapur, tashmë disa organizata joqeveritare kanë hapur debate, ndërsa Avokati i Popullit dhe Ministria e Drejtësisë kanë opinionet e tyre. Zaevi shprehu bindje se Qeveria dhe Parlamenti janë të gatshëm për zgjidhje të shpejtë të kushteve të këqija dhe johumane në burgjet.

Comments