
Avokatët e angazhuar në rastin e Kumanovës dyshojnë në gjithë procesin gjyqësor. Ata thonë se prokuroria tenton të fusë prova të rrejshme në mënyrë tinëzare duke filluar prej provave në formë të video inçizimit nga fillimi i aksionit e deri tek dëshmitarët që i ka siguruar, pasi gjithçka duket e dyshimtë dhe e montuar. Avokati mbrojtës Elenko Millanov thotë se incizimi nga fillimi i aksionit i filmuar nga vetë policia është i njëanshëm dhe nuk mund të merret pa u kontrolluar. Për më tepër atë e hidhëron fakti që provat e tyre tejet të rëndësishme nuk janë marrë në konsideratë.
“Që nga fillimi gjykata është munduar që t’i ik afrimit tek e vërteta, duke mos i pranuar provat që ka dashur që t’i prezantoj mbrojtja. Provat tona janë refuzuar dhe nuk janë nxjerrë para këtij trupi gjykues. Edhe dëshmitari i vetëm që u pranua që të vinte të dëshmonte, Shenasi Memeti, ai nuk erdhi. Vetëm përmes letrës me shkrim të dërguar nga Agjensia për Zbulim u tha se nuk mundet që të vijë të dëshmojë, pasi nuk lejohet që të thuhen sekretet shtetërore. Por, ai nëse do kishte dashur të dëshmojë, këtë do mund ta kishte bërë, pa pjesëmarrjen e opinionit në seancë, ashtu edhe siç ka ndodhur disa herë”, deklaroi Elenko Millanov, avokat.
Bazuar në këtë shkresë, Millanov tha se dëshmohet se ekzistojnë informacione të rëndësishme, të cilat patjetër duhet që të thuhen para gjykatës. Për të akuzuarit Irfan Lutfiu dhe Fazli Osmani, avokati i tyre Asmir Alispahiç thotë se ata akuzohen pa faj, pasi nga pyetja që ju ka parashtruar të gjithë të akuzuarit se a kanë pasur ndonjë lidhje konkretisht me të akuzuarin Irfan Lutfiut, ose a kanë kontaktuar ndonjëherë me të, që të gjithë janë përgjigjur se asnjëherë nuk kanë zhvilluar asnjëlloj bisede apo kontakti me këtë person.
“Këtu kemi një paradoks ku civilët akuzohen për terrorizëm dhe organizatë terroriste. Konkretisht, njëri nga të akuzuarit, më saktësisht Irfan Lutfiu, të gjithë e njohin si berber të lagjes, akuzohet se ju ka ndihmuar për transferimin e grupit në ‘Lagjen e Trimave’. Nga provat të cilat un i analizova një nga një, mund të arrihet në përfundim se ai nuk ka asnjë lidhje. Këtë pak e ka vërtetuar edhe Prokuroria Publike, kur theksoi se nga data 02. 5. deri më 08.5, i njëjti ka qenë në dyqanin e tij, e kanë vërtetuar edhe dëshmitarët të cilët thonë se ai ka qenë në punë gjatë gjithë kohës”, tha Asmir Alisahiç, avokat.
Ndërsa për të akuzuarin tjetër Fazli Osmanin, Alispahiç thotë se si ka mundësi që prokuroria të bazohet vetëm në bisedat telefonike, në të cilat nuk haset asnjë vepër penale dhe në atë që është djali i Sulejman Osmanit. Në anën tjetër edhe babai i të akuzuarit Irfan Lutfiut, këmbëngul në pafajësinë e të birit dhe ai beson se drejtësia sado që do të vonojë, ajo do të del në shesh.
“S’ka ai aspak faj. Unë e di që s’ka faj. Unë e njoh djalin tim…Çka thonë ata nuk është e mundshme, ai nuk ka faj, se unë e kam rrit atë djalë. Le të pyesin gjithë Maqedoninë…në thashtë dikush se ai ka bërë një gjë të këtillë, unë garantoj me kokë…Ai është i pafajshëm, ajo do të del në shesh, por ndoshta pak do të vonoj”, u shpreh Liman Lutfiu, babai i të akuzuarit Irfan Lutfiut.
Apeli i tij është që gjykata ta lëshojnë birin e tij të kthehet tek fëmijët e vet në shtëpi, pasi ai është i pafajshëm.

