“LSDM e përqëndruar tek lokalet, nuk mendon për “hallet” e shqiptarëve”

370
fresco

Stërzgjatja e votimit të projektligjit për përdorimin e gjuhëve si dhe votimi i tre ligjeve të propozuar nga LSDM-ja në Kuvend vetëm dëshmon se socialdemokratët nuk posedojnë kapacitet që të ndërtojë shoqëri multietnike dhe dështon në konceptin e saj të premtuar në parlamentaret e vitit 2017. Kështu një pjesë e ekspertëve të çështjeve politike komentojnë sjelljen e partisë së Zoran Zaevit pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Analisti politik Alajdin Demiri me tone të ashpra në drejtim të socialdemokratëve. Demiri për Almakos deklaroi se LSDM-ja në tërësi ka dështuar të përmbush misionin dhe koncentin e saj multietnik dhe tërë premtimet që Zaev dhe LSDM u ka dhënë shqiptarëve, sipas Demirit, nuk kanë qenë asgjë më shumë se një mashtrim parazgjedhor.

“LSDM-ja nuk ka kapacitet me konceptin e vet si udhëheqëse e shtetit, të zgjedh një çështje ndëretnike. Edhe sillet në një mënyrë bizare si lidhja komuniste e Jugosllavisë, të krijojë parti multetnike me disa shqiptarë të zgjedhur, por shtet multietnik nuk mund të bëjë. Dhe kjo është tërë përralla e LSDM-së se çfar ajo në të vërtetë ofron, ofertën e ka shterr, mirëpo aty është edhe pozita shqiptare që duhet me këmbëngulje politike dhe demokratike që të bindin në të kundërtën. LSDM-ja nuk ka kapacitet tjetër përveç kapacitetit mashtrues”, deklaroi analisti politik Alajdin Demiri.

Politikologu Xhenis Sulimani mendon se për momentin LSDM-ja është përqëndruar që të fitojë sa më tepër komuna dhe në përforcimin e shumicës duke organizuar zgjedhje të reja parlamentare. Sipas Sulimanit, çështja shqiptare nuk është askund në agjendën e socialdemokratëve.

“LSDM për momentin i interesojnë vetëm zgjedhjet lokale. Pas zgjedhjeve lokale nëse fitojnë 1 votë më tepër, një komunë më tepër do të mendojnë për zgjedhje parlamentare me synim ta forcojnë pozitën e tyre. Në këtë rrugëtim nuk zgjedhin mekanizma, e më së paku të mendojnë për hallet e dertet të shqiptarëve. Bashkëpunimi i tyre me BDI-në, të cilën deri dje edhe nëpërmes bombave edhe nëpërmes deklaratave publike e kanë cilësuar si bashkëpunëtore në krimet e VMRO-DPMNE-së, e tani edhe përshpejtimi i votimit të ligjeve që do t’i ndihmojnë për “reklamë” në lokale janë argumente shtesë se LSDM mendon vetëm për interesin partiak”, u përgjigj për Almakos analisti Xhenis Sulimani.
/Almakos.com

Comments