Qeveria i ofron Kushtetueses ndihmë në mbrojtjen e pavarësisë së saj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në ceremoninë solemne të vitit të tetë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadorë të akredituar në Kosovë, gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve edhe delegacione të Gjykatave Kushtetuese nga rajoni, vlerësoi punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke ofruar me këtë rast ndihmën e Qeverisë në pavarësinë e Kushtetueses, bën të ditur një njoftim nga Kryeministria.
“Qeveria e Kosovës do të jetë në dispozicion që përbrenda kuadrit kushtetues të ndihmojë Gjykatën në rrugëtimin e saj për të mbrojtur parimet dhe normat Kushtetuese, pra në pavarësinë e saj”, tha kryeministri Haradinaj, në ceremoninë solemne të vitit të tetë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese.

