Presidenti Ivanov i propozon Darko Kostadinovskin dhe Osman Kadriun për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

461

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i propozoi Darko Kostadinovskin dhe Osman Kadriun për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në pajtim me autorizimet kushtetuese të presidentit të Republikës së Maqedonisë, propozimet për dy gjyqtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar në Kuvend, konfirmuan për MIA-n nga Kabineti i shefit të shtetit.

Theksojnë se para sjelljes së vendimit, presidenti Ivanov është konsultuar me faktorët relevantë në këtë fushë.

“Presidenti Ivanov si deri më tani, ashtu edhe në të ardhmen, u jep përparësi cilësisë dhe profesionalizmit të personave të cilët i propozon. Presidenti i Maqedonisë beson se me propozimin e Dr. Darko Kostadinovski dhe Dr. Osman Kadriu, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë do të fitojë gjyqtarë të cilët më me përgjegjësi do ta ushtrojnë funksionin gjatë mandateve të tyre”, thonë nga kabineti presidencial.

Osman Kadriu është jurist i shquar dhe i njohur në Republikën e Maqedonisë. Si propozim për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese vjen nga komuniteti akademik, si profesor në Fakultetin për Shkenca Juridik në FON, ekspert në fushën e së drejtës obligative. Ai ka stazh disa dekada, në fushën e shkencave juridike si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Kërçovë, anëtar i Këshillit Gjyqësor Republikan dhe avokat. Më shumë se dhjetë vite , dr. Kadriu ka qenë i angazhuar si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës në sferën e së drejtës civile. Dr. Kadriu i ka publikuar katër libra prej sferës civile-juridike, marrëdhëniet e punës dhe juridike dhe sistemi politik. Është autor i mbi 50 temave shkencore biblografike dhe artikujve të publikuar në revistat e njohura profesionale në Maqedoni dhe jashtë vendit.

Darko Kostadinovski është doktor i shkencave të drejtësisë në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Ka doktoruar në temën “Kompetenca këshillëdhënëse e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: pasojat ligjore nga mendimet këshillëdhënëse të Gjykatës”, dhe është autor i librave “Arbitrazhi Ndërkombëtar” dhe “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – domosdoshmëri për reforma dhe ndryshime (Mendimet këshillëdhënëse të Gjykatës së dhe implikimet e tyre) “. Kostadinovski si propozim për gjyqtar kushtetues, vjen nga vendi këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit të Republikës së Maqedonisë. Ai është anëtar i Kabinetit të presidentit që nga viti 2001 në Kabinetin e atëhershëm të presidentit, Boris Trajkovski

Kostadinovski dhe Kadriu duhet të vijnë në vendin e gjykatëseve Natasha Gaber Damjanovska dhe Gëzime Starova, të cilave mandati u skadoi në tetor të këtij vitit. Ato u zgjodhën për gjykatëse të Kushtetueses me propozim të presidentit Branko Cërvenkovski në vitin 2008.

Comments