
Massimiliano Mirabelli i lë të hapur derën një rikthimin në klubin e Milan të Kakà dhe tifozët kuqezi kanë nisur të ëndërrojnë. “Ka qenë një futbollist i madh i Milan dhe mbetet një lojtar i mirë edhe pse nuk ka vendosur se çfarë do të bëj kur të largohet nga sporti, – ka shpjeguar drejtori sportiv i kuqezinjve. – Eshtë një person që ka mbetur në zemrat e tifozëve kuqezi dhe për këtë arsye do ta ketë gjithmonë derën të hapur në këtë klub. Nuk e di se çfarë roli do të ketë, por nëse dëshiron, në të ardhmen do të jetë pjesë e Milan.”
I intervistuar përpara ndeshjes së Europa League, Mirabelli ka folur edhe për momentin delikat që po kalon sezoni i Milan. “Nuk mund të gabojmë më. Jemi ende në garë në tre veprimtari, – ka shpjeguar ai. – Deri më 6 janar duhet të tregojmë se kemi bërë hapa përpara, duke i lënë pas shpine vështirësitë që kaluam. Të gjithë ndihemi keq pas rezultateve negative, kemi kaluar shumë fundjava të trishtueshme dhe kjo nuk duhet të ndodhë në të ardhmen. Askush nga ne nuk duhet të harrojë se çfarë do të thotë të përfaqësosh një klub si Milan.”

