VESELI: Leni pallavrat rreth demarkacionit

321


Kosova duhet t’i shënjojë sa më shpejtë vijat e saj kufitare, përfshi edhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Serbinë, ka deklaruar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Këto komente, ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku çështja e Demarkacionit nuk ishte diskutuar, por më shumë ishte ngritur si temë pas takimit nga ana e mediave.

Veseli tha se çështja e kufirit është çështje shtetërore dhe jo partiake. Kurse vonesat, ka nënvizuar ai, dëmtojnë shtetin.

“Sa më shumë vonohemi, aq më shume po e dëmtojmë shtetin tonë. Duhet t’i shënjojmë kufijtë se është çështje e sovranitetit. Duhet të përfundojmë me Malin e Zi e të kalojë te Serbia”, tha Veseli.

Veseli i ka komentuar edhe pozicionet e ndryshme të partive politike dhe deputetëve veç e veç, dhe dilemave nëse me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vendi rrezikon të humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.

“Ky nuk është qëndrim politik, por nëse më pyesni si shqiptar, kufiri do të duhej të mbrohej në Ulqin e Shkup. Pra, nëse duhet qëndrim emocional. Ky nuk është qëndrim politik. Leni ato pallavra”, tha Veseli, duke kundërshtuar ata që po e mbajnë peng ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi.

Ndërkohë, deputetja opozitare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se për këtë subjekt politik, Marrëveshja e gushtit të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin do të duhej të ishte çështje e mbyllur. Vetëvendosje e kundërshton këtë version të marrëveshjes, duke e cilësuar të dëmshëm.

“Nuk ka pasur vullnet politik për ta mbyllur këtë çështje, për shkak të kryeneçësisë së ish-kryeministrit Isa Mustafa. Ne kemi pritur nga Haradinaj që të tërhiqet nga kjo marrëveshje në momentin e parë, por siç duket njerëzit për pozitë lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre”, tha Haxhiu.

Çështja e Demarkacionit shihet ndryshe nga secila parti politike, pavarësisht nëse është pjesë e pushtetit apo opozitës.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit të saj, Kadri Veseli do ta votojë Demarkacionin, kundër kësaj marrëveshjeje paraqiten dy partitë tjera në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Deputeti Bilall Sherifi nga Nisma tha se ky subjekt politik nuk do ta votojë marrëveshjen.

“Nisma e ka bërë të qartë se këtë marrëveshje nuk do ta votojmë”, tha Sherifi.

Sipas tij, dallimet në Qeveri rreth Demarkacionit nuk duhet ta habisin askënd pasi që secila parti politike i mbron qëndrimet e veta.

Qeveria e Kosovës, të hënën, ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

/REL/

Comments