Rama: Integrimi në BE, forcë shtytëse drejt së ardhmes

193

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është mjaft i rëndësishëm, si forcë shtytëse drejt së ardhmes, për kryerjen e reformave dhe për ndërtimin e institucioneve, tha sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin për Ballkanin Perëndimor organizuar nga Miqtë e Evropës.

“Në BE pyesin veten se çfarë po ndodh në Ballkan, ndërsa në Ballkan pyetja jonë është çfarë po ndodh në BE. Duket sikur bota është kthyer përmbys. Disa vjet më parë problemi ishte tek ne, ndërkohë që tani problemi mes nesh është se si t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë do t’i ndodh rrugëtimit tonë të integrimit evropian. Kjo lidhet me faktin se sot në Ballkan kemi një situatë tërësisht ndryshe në kuptimin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin, apo edhe për përpjekjen për tu marrë me çështjet më të vështira të së kaluarës”, tha Rama, duke sjellë si shembull dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri theksoi se “pa BE-në, nuk do të kishim kurrë atë që kemi në Ballkan sa i takon pajtimit, paqes dhe procesit të bashkëpunimit”, transmeton kp.

Për Shqipërinë dhe Ballkanin, sipas Ramës, BE është mjaft e rëndësishme si forcë shtytëse drejt së ardhmes dhe integrimi në BE është instrument unik i organizimit të shteteve e shoqërive tona.

Comments