DAUT DAUTI: KOHË E EKLIPSEVE, APO, MOS HUMBËM DIKU RRUGËS!?

454

Ku u nisëm në fillim të pluralizmit, nga ecëm, e ku kemi arritur, ose më saktë ku humbëm rrugës, do të ishte ndoshta një rezime e gjithë asaj që e shkruan në libër Xhelal Neziri

Shkruan: Daut DAUTI

Më bën nder që të prezantoj librin Kohë e eklipseve të kolegut dhe mikut tim Xhelal Neziri, sepse është ndër ata analistë mendimin e të cilëve e vlerësoj lartë, sepse është një mendim politik dhe jashtë kallëpeve e interesave të grupeve politike. Dalja e çdo libri nga shtypi duhet të jetë një sihariq për publikun e gjerë, sepse çdo libër vjen si rezultat i një pune të gjatë krijuese ose studioze të autorit. Aty shkrihet energjia, idetë dhe qëllimi që don të arrijë autori. Ka gjasë ta kem thënë edhe më herët, prandaj kur bëhet fjalë për këtë lloj botimi çfarë është ky i kolegut Xhelal Neziri, përherë ndjej nevojën të theksoj se ndër ne kemi një literaturë të mangët që trajton në mënyrë analitike problemet shoqërore. Këtë konstatim e nxjerr duke krahasuar botimet e këtilla kundrejt botimeve letrare. Nuk dua të hyj në çështjen e vlerave, por thjesht kam përshtypjen se kemi botime dhe krijues letrarë në numër shumë më të madh seç kemi autorë dhe botime në fushën e publicistikës.
Në anën tjetër, duhet thënë se kemi shumë analistë që trajtojnë çështje ditore, por të cilëve u mungon zelli që tu rreken në mënyrë më serioze trajtesave më të thella dhe më gjithëpërfshirëse, prandaj dhe kur paraqitet me libër ndonjë prej këtyre autorëve të pranishëm në shtyp, duhet patjetër të përshëndetet, ndërkaq publiku duhet ti pranojë si përpjekje serioze që analiza për fenomenet shoqërore të ngritet në nivel më të lartë, dhe ta fitojë betejën me kohën. Sepse një është kur shkruan për shtypin ditor ose jep diagnoza politike përmes një deklarate ose debati televiziv, e tjetër kuptim dhe përgjegjësi ka kur kjo bëhet përmes librit. Çdo analizë që thellohet në ecuritë e proceseve të shumta, duhet të përmbajë atë dozë elementare vizionariteti, që duke u marrë me shkaqet dhe pasojat, të japë dhe orientirët e mundshëm të proceseve, të zgjidhjeve më fatlume që një shoqëri mund ta çojnë përpara.
Xhelal Neziri është i pranishëm në shtypin tonë për një kohë të gjatë, ka punuar si gazetar në shumë redaksi dhe me përvojën që ka fituar, tashmë mund të konsiderohet si një analist i cili ka mprehtësinë e vrojtimit me një distancë kritike, mendimi i të cilit patjetër të valorizohet si objektiv. Libri që kemi në dorë është rezultat i pjekurisë intelektuale e profesionale, i cili tematikisht trajton tranzicionin shqiptar por jo vetëm atë, me theks të veçantë rrugëtimin pothuajse tri dekadësh të proceseve politike në Maqedoni dhe prapë me një theks të veçantë rënie-ngritjet shqiptare në kuadër të atyre proceseve.
Unë kam pasur fatin që librin ta lexoj që në dorëshkrim kur kishte një titull tjetër pune. Që në atë lexim kam vërejtur seriozitetin e autorit që lexuesit ti ofrojë një materie të gjallë që sublimon një periudhë të gjatë e turbulente përplot zik-zake, në të cilën më shumë flitet për rënie e ngecje sesa ecje përpara, që është një pasqyrim real i ecurive. Kur jemi te proceset, në Maqedoni gjëja më e pashmangshme janë relacionet ndëretnike, ajo temë e përhershme që ka mbarsur të gjitha proceset, si në ndërtimin e kohezionit të brendshëm, për të cilin siç e vëren edhe autori, dy komunitetet shumicë gjithnjë kanë pasur qasje të ndryshme, por, poashtu edhe reflekset e këtyre relacioneve me ngecjen e proceseve tjera në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar në të gjitha fushat, por edhe në pozicionin ndërkombëtar. Kundërthëniet që i kanë përcjellë këto relacione ndëretnike, të cilat madje kanë çuar edhe gjer në përplasje të armatosur, sipas autorit, përmbajnë edhe shumë diskurse manipulative nga të dyja palët. Mu për këtë, në vlerësimin që e kisha dhënë më parë për librin, e kisha veçuar këtë konstatim të Xhelal Neziritç(citoj): Mashtrimet e politikës kanë krijuar frustrime edhe te maqedonasit edhe te shqiptarët etnikë që jetojnë në Maqedoni. E kam veçuar këtë konstatim sepse më duket sikur në një fjali është përmbledhur i gjithë tranzicioni i Maqedonisë pas rënies së komunizmit, gjë që ka qenë pengesë për kalimin në fazën pas tranzicionit, në atë të konsolidimit të një shoqërie normale demokratike.
Duke pasur për temë një periudhë kaq frymëzuese të tranzicionit, në librin e Xhelal Nezirit në mënyrë të argumentuar jepen përgjigjet e shkak-pasojave, si dhe të mosrealizimit të synimeve dhe idealeve, e deklarimeve dhe dështimeve të mëdha.
Librit të Xhelal Nezirit i bëjnë nder dhe i japin peshë edhe vlerësimet objektive që i kanë dhënë disa autorë të njohur. Së këndjmi patjetër duhet të veçohet PARATHËNIA e gazetarit Baton Haxhiu. Në këtë parathënie ku, përveç vlerësimeve positive për librin, ka edhe këdvështrime personale të Batonit për realitetin, diku-diku të debatueshme, siç është vlerësimi rreth konfliktit të vitit 2001 ose kur figurën politike të Arbër Xhaferit e vë mbi atë të Ibrahim Rugovës, vlerëme këto me të cilat mund të mos pajtohet shumëkush. Por, është i pakontestueshëm vlerëmi për konkluzionin që nxjerr autori Xhelal Neziri për dështimet e sistemit politik, i cili dështoi që në fillim në përpjekjet për të krijuar madje edhe kornizat stabile të shtetit funksional. Siç thotë edhe Baton Haxhiu, Arsyen kryesore të këtij paradështimi Xhelal Neziri me të drejtë e lokalizon tek orientimi nacionalist dhe etnocentrik i dy «shumicave» përbërëse të shtetit, ku i pari «realizon» veten e i dyti si reaksion ndaj të parit, kufizohet dhe shpërfytyrohet edhe më tepër për shkak të mungesës së të drejtave bazike qoftë edhe për ta sajuar e vënë në praktikë një koncept sado qytetar mbijetimi. Këtë dimension bazë të krizës politike e argumenton Neziri si fabrikë të të gjitha anomalive që parazhbëjnë jo vetëm çdo mundësi koekzistence shoqërore por edhe janë e ëma edhe e procesit të shthurjes së vetëperceptuar si kaos identitar të individit e deri tek instrumentalizimi i etnisë, kombit apo folklorit në favor të relacionit destruktiv ndaj idesë së (pu)shtetit, demokracisë, patriotizmit dhe multkulturalitetit.
Për ta ngritur në një nivel paradigme atë që është kaluar gjatë këyre dy dekada e gjysmë, Xhelal Neziri e hap librin e tij me thënien e filozofit Joseph de Maistre: Çdo popull ka atë qeveri që e meriton, për të shpjeguar, siç e quan ai qorrsokakun e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë, ku janë futur 25 vite më parë pikërisht nga liderët e tyre të zgjedhur. Sipas tij “Drama politike që vihet në skenë para spektatorëve shqiptarë është e njëjtë, e bezdisshme, me skenarë dhe role të njëjta, vetëm se ndryshohen aktorët politikë”.
Në këtë kontekst, autori do të jape një kronikë analitike të ngjarjeve që e kanë përshkuar aktivizmin politik të shqiptarëve, që nga shfaqja e partive të para, referendumit për autonomi politike territoriale, për veprimin dhe pëplasjet e partive shqiptare, idealet synimet, premtimet, dështimet, dëshpërimet që kanë çuar gjer në deziluzion, duke pasur parasysh keq-qeverisjen dhe sëmundjet tjera të tranzicionit.
Ngapak zemërplasur mund të konstatojë se shqiptarët kanë aq të drejta sa meritojnë, udhëhiqen nga ato politikanë që i meritojnë dhe i kanë ata kriminelë që i meritojnë, krejt këtë, duke bërë analogji me thënien e filozofit të sipërpërmendur Josef Maistre dhe të modifikuar nga disa të tjerë, midis të cilëve dhe nga Xhon Kenedi, thënies së të cilit i referohet pjesa e fundit e vlerësimit të Xhelalit.
Autori është përpjekur që ti përmbledhë të gjitha ngjarjet më të rëndësishme, që nga kyçja e shqiptarëve në jetën aktive politike për ti kthyer të drejtat që ishin rrënuar më parë, te bashkëqeverisja me partitë maqedonase, te konflikti i vitit 2001, te betejat për arsimim të lartë, zyrtarizim të shqipes, përdorimi i simboleve, proceset e montuara politike(siç ishte afera e armëve) dhe ngjarje tjera turbulente, siç ëshë kriza e fundit politike që solli ndryshime në pushtet. Ku u nisëm në fillim të pluralizmit, nga ecëm, e ku kemi arritur, ose më saktë ku humbëm rrugës, do të ishte ndoshta një rezime e gjithë asaj që e shkruan në libër Xhelal Neziri
Nga konteksti etnik, pra, proceset brenda shqiptare, patjetër të dilet edhe në kontekstin ndëretnik, si një specifikë e pashmangshme e Maqedonisë si shoqëri. Por, pikërisht ai kontekst e përmban gjithë paradoksin që e konstaton edhe autori kur thotë: Dy shoqëritë sikur kanë bindjen se dikush nga jashtë ua imponon të jetuarit nën një kulm shtetëror. Ky opinion publik me mjeshtri është krijuar nga politika e cila, me nacionalizmin e betonuar dhe qasjen etnocentriste ndaj politikës, arrin të mobilizojë votues pa mos treguar rezultate konkrete që kanë të bëjnë me nevojat praktike të qytetarëve që përfaqësojnë.
Mund të thuhet se Xhelali ka një qasje të çliruar nga mendësia kolektive ndaj lojalitetit dhe përkatësisë ndaj shtetit. Raporti i shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë, sipas autorit, duket i padefinuar që nga 1945-ta e deri më sot. Ky raport është i mbushur me hipokrizi politike, me lojalitet dhe dashuri ndaj pushtetit e jo ndaj shtetit dhe me mbajtjen gjallë të ndjenjës së refuzimit ndaj shtetit për interesa të politikës ditore. Partitë shqiptare janë lojalë ndaj Maqedonisë, bile edhe më shumë se partitë maqedonase gjatë kohës sa janë në pushtet, kurse kur janë në opozitë përhapin ndjenjën refuzuese ndaj shtetit, shpesh duke promovuar ndarje dhe krijimin e shteteve etnike, edhe pse vazhdojnë të mbeten taksapagues lojalë dhe respektues të kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Megjithatë, autori e shikon edhe anasjelltas kur thotë se “Ky raport konfuz i shqiptarit të Maqedonisë me shtetin ku jeton është i dyanshëm” sepse edhe shteti ka një raport të padefinuar me një të tretën e qytetarëve të saj shqiptarëve etnikë. Që moti mbetet e hapur dilema nëse shteti i Maqedonisë është i obliguar të subvencionojë e aktivitetet që korrespondojnë me identitetin kombëtar të shqiptarëve, bazuar në teoritë identitare dhe në Kushtetutën e vendit.
Në këtë kontekst duhet veçuar dilemën që hedh autori, dilemë kjo që është përtej perceptimit kolektiv apo folklorik duke shikuar një lloj krize të identitetit shtetëror (kombëtar) te shqiptarët etnikë të Maqedonisë më pas prodhon dukuri negative që pengojnë progresin e mëtejmë të kësaj etnie dhe rrjedhimisht edhe të vet shtetit. Sipas tij, një situatë të njëjtë e kemi edhe në Kosovë, ku shqiptarët etnikë ende nuk arrijnë të etablojnë një patriotizëm të njëmendtë ndaj shtetit (kombit) të tyre.
Autori i trajton edhe kundërthëniet jo vetëm terminologjike rreth kombit dhe patriotizmit. Historikisht, shqiptarët në Ballkan janë unikë kur bëhet fjalë për ndërtimin e kombit. Për dallim nga shtetet tjera, shqiptarët së pari formuan kombin e pastaj shtetin në kufijtë e Shqipërisë aktuale. Derisa Shqipëria u formësua si shtet-komb, për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni lidhja me shtetin nuk nënkupton edhe lidhjen me kombin në kuptimin kulturor.
Për të përfunduar në një dilemë që për autorin sështë kur thotë: duket se më e nevojshme për shqiptarët është ridefinimi i nocionit patriotizëm. Një politikan i korruptuar nuk mund të jetë njëkohësisht edhe patriot. Zhvillimi duhet të jetë indikatori i patriotizmit, ndërkohë që varfëria dhe prapambetja – tregues i tradhtisë. Gjithçka tjetër është vetëm manipulim i realitetit objektiv”.
Një vëmendje të veçantë autori i kushton edhe fenomenit tepër të pranishëm në vendet ku jetojnë shqiptarët, korrupsioni i pushtetit dhe hajnia, në një korrelacion paradoksal me patriotizmin e deklaruar. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni dhe Shqipëri korrupsioni tani më është bërë sistem jetese. Andaj u shkakton probleme diplomatëve perëndimorë që dëshirojnë ta çrrënjosin këtë dukuri. Ata vijnë nga shoqëri që as mund ta imagjinojnë se te ne i korruptuari perceptohet si i aftë kurse ai që punon konform normave morale shihet si budalla”.
Korrupsioni bile nuk përbën më lajm edhe për mediat, është një fenomen që mund ta gjesh kudo. Për korrupsion flitet në të gjitha institucionet dhe në të gjitha nivelet. Është bërë normalitet i përditshëm dhe dalëngadalë po rrënon të tashmen dhe të ardhmen tonë. Për Xhelalin, të gjitha defektet, zmbrapsjet dhe dukuritë më destruktive në Ballkan përfshijnë një gamë të gjerë justifikimesh mashtruese që barten nga një kohë në kohën tjetër. Ballkani mbetet vazhdimisht në një mjegull historike që nuk lejon shikim të qartë, nuk lejon të depërtojnë praktika të reja funksionimi shoqëror, politik, ekonomik dhe kulturor.
Është një mjegull e hershme e dendur që mbulon çuditërisht histori që prodhojnë konfliktualitet dhe destabilizim permanent. Çdo abuzim, krim, hajni dhe korrupsion lehtësisht mbështillet me këtë mjegullnajë historike që më pas me shumë lavdi shitet te popujt e gadishullit. Historikisht kështu ka qenë. Një përplasje metanarracionesh historike që vijnë edhe në këtë kohë me përmasat e të njëjtit mashtrim.
Xhelal Neziri në libër flet edhe për fenomenin e nacionalizmit në kapitullin NACIONALIZMI DHE VETËMASHTRIMI. Ai citon Ajnshtajnin i cili nacionalizmin e ka quajtur sëmundje infantile të njerëzimit, Oruellin si fuqi e bazuar në vetëmashtrim dhe Çomskin për nacionalizmin si një mënyrë për të shtypur tjerët.
Nacionalizmi, megjithatë, është treguar i dobishëm në disa fusha. Sipas hulumtimeve të Bankës Botërore, shtetet me nacionalizëm të theksuar kanë nivel më të ulët të korrupsionit dhe një ekonomi të zhvilluar. Përderisa pjesa më e madhe e shembujve tregojnë se nacionalizmi ka krijuar një lider të fuqishëm dhe miliona të sakrifikuar për të, shembulli i Norvegjisë ilustron të kundërtën. Në këtë shtet skandinav niveli i korrupsionit është zero kurse i zhvillimit ekonomik tepër i lartë. Burokracia nacionaliste e Norvegjisë nuk është e orientuar kundër të huajve që jetojnë aty, por në ruajtjen e pronës dhe financave të shtetit njëjtë sikur ato personale. Po si është çështja në këtë pikë me MAQEDONINë? A ka nacionalizëm konstruktiv ose mobilizues e patriotik, apo destruktiv e përjashtues? Duke folur për aktorët politikë që kanë sunduar skenën politike dhjetë vjetët e fundit, Xhelal Neziri do të thotë se një qasje e sinqertë nacionaliste e VMRO-së dhe BDI-së do të kishte nënkuptuar ruajtjen e pronës dhe financave publike të popujve që përfaqësojnë nga çdo tentim abuzimi, njëjtë siç do të kishin vepruar me pronën private. Por, të dhënat tregojnë se në Maqedoni çdo i treti jeton në varfëri të thellë, afër një e treta e popullsisë është e papunë, mbi 600 mijë shtetas e kanë braktisur vendin kurse shkalla e korrupsionit është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Këto numra sipas tij tregojnë se nacionalizmi i VMRO-së dhe BDI-së nuk është as konstruktiv e as destruktiv, por i rrejshëm. Korrupsioni që doli në publik demantoi të gjitha retorikat nacionaliste të përdorura në zgjedhjet e kaluara.
Ngjarjet dhe fenomenet, sidomos ato që e kanë ngadalësuar zhvillimin e gjithmbarshëm janë dominuese në libër, por, në të kanë zënë vend edhe profilet politike të personaliteteve kryesore që i kanë nxitur proceset e ndryshme, siç Arbër Xhaferi, Fadil Sulejmani dhe Imer Imeri, që të tre të ndjerë. E veçanta kur bëhet fjalë për rektorin e e parë dhe themeluesin e UT-së, dr.Fadil Sulejmanin është se autori ka pasur fatin të realizojë një intervistë në një kohë kur ai praktikisht kishte qenë i izoluar nga sendërtimi i ëndrrës së tij, sepse legalizimi i UT-së atë e gjen larg fronit të rektorit ku kishte qenë gjersa kishte zhvilluar betejat për legalizim. Kjo intervistë përmban shumë pikanteri të njohura dhe të panjohura rreth rastit të Universitetit dhe betejave të rektorit. Edhe këtu, sikundër edhe te rrëfimi për Imer Imerin ose Arbër Xhaferit, ose edhe në kapitujt tjerë, mund të gjenden pohime të cilat ndonjë aktor tjetër në të njëjtat procese mund ti kontestojë.
Padyshim, pa një profil politik të Arbër Xhaferit libri do të ishte i varfër dhe jo i plotë.”Xhaferi nuk mbante llogari për rejtingun politik të tij e të partisë që drejtonte. Ai detektonte problemet dhe shfaqte vizionet e tij për të ardhmen, pa marrë parasysh nëse ato vizione do të ishin në kundërshtim me pritjet folklorike dhe patetike të një pjese të shoqërisë shqiptare…Xhaferi ishte mendimtari, ai që kishte një vizion të qartë politik jo vetëm për partinë e tij por për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. shkruan Xhelal Neziri.
Xhaferi, konstaton autori, iku nga kjo botë si një maratonomak i pakënaqur nga rezultati. Andaj, viteve të fundit ai më shumë vepronte si një intelektual sesa si politikan.
Pokështu veçohet portreti i liderit të ndjerë të PPD-së, Imer Imerit, njërit nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, ku poashtu, si në rastin e dr. Fadil Sulejmanit, zbulohen shumë fakte të njohura dhe prapskena të periudhës kur ai u gjet në krye të PPD-së, që koinçidoi edhe me konfliktin e vitit 2001 dhe pjesëmarjes së tij në procesin e rëndë negociues midis palës shqiptare dhe asaj maqedonase, të cilat patjetër se do ta zgjojnë kureshtjen e lexuesve.
Në kontekst të këtij kapitulli, ndoshta mund të ndjehet mungesa e tri-katër figurave që e kanë shënuar pluralizmin te shqiptarët, pra, të Nevzat Halilit, Abdyrahman Alitit dhe Menduh Thaçit. Ndoshta në librin e ardhshëm, pse jo.
Libri pra është ky që e kemi, mund të mos pajtoheni, ose ta përkrahni pa rezervë, mund subjektet politike por dhe gjithë ne si qytetarë, ta gjejmë veten në të, por, ajo që nuk mund dhe nuk duhet ta bëjmë, është që ti heshtim diagnozat që i ka vënë autori për anomalitë në shoqëritë tona në Maqedoni, Kosovë a Shqipëri.
Dua ta përfundoj këtë prezentim me një mendim që tashmë e kam dhënë në vlerësimin e përmendur në libër, e ky është si vijon:
Ua rekomandoj gjithëve ta lexojnë librin, edhe atyre që dje ishin në pushtet dhe sot kritikojnë për atë që vetë nuk e kanë bërë, edhe për ata që janë sot në pushtet dhe kanë harruar se si i kanë kritikuar dje të tjerët për atë që sot e bëjnë vetë, edhe për ata që sot janë në rrugën e ngritjes për të ardhur në pushtet që nesër të mos veprojnë siç kanë bërë ata që i kanë kritikuar…Edhe për patriotët edhe paër tradhtarët edhe për idealistët e realistët. Ky libër jep një qasje të guximshme dhe përpiqet të japë edhe përgjigjet për shumë nga çështjet për të cilat shkruan…

Comments