ALIMI: Në BDI nuk ka vend për Amdinë
Deputeti dhe lideri i Lidhjes së Romëve të Maqedonisë, Amdi Bajram i cili deri tani ishte në koalicion me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit ka vendosur të ndërpresë bojkotin e Kuvendit dhe të kthehet, por duke shprehur dëshirë që t’i bashkëngjitet grupit parlamentar të BDI-së. Bajram njihet për akuzat, fyerjet dhe kërcënimet e rënda në të kaluarën ndaj LSDM-së dhe liderit të saj, Zoran Zaev.
Në deklaratën për Alsat -M, Bajram konfirmoi se pret të fillojë bisedimet për këtë çështje me partinë e integristëve. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi tha se Bajram ka të drejtë që të punojë si deputet i pavarur dhe se si i tillë ai mund ta mbështesë cilën parti që dëshiron, por se BDI-ja nuk do ta pranojë kërkesën e tij.
“Deri tani nuk kemi informacione të tilla. Amdi Bajram nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar të BDI-së. Ai mund të veproj si deputet i pavarur, por jo edhe si deputet i joni”, thonë nga BDI-ja.
Me mbështetjen e politikave të shumicës parlamentare nga ana e Amdi Bajram, me automatizëm numri i deputetëve të mazhorancës rritet në 68 deputetë. Derisa ai i VMRO-DPMNE-së opozitare bie në 50. Përveç Amdi Bajram, si deputet i pavarur që mbështet politikat e shumicës parlamentare është edhe deputeti Çedomir Sazdovski, që vjen nga radhët e partisë së Stevçe Jakimovskit.