‘E Majta’ nuk do ti bashkëngjitet frontit opozitar

Partia ‘E Majta’ nuk do ti bashkëngjitet frontit opozitar të drejtuar nga lideri i LSDM-së Zoran Zaev. Kjo partia paralajmëron se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit do të garojë e vetme.
“E Majta para një jave e publikoi iniciativën për lista qytetare jo-partiake, dhe sipas bindjeve tona kjo është një strategji më efektive për të pësuar disfatë regjimi i Nikolla Gruevskit. Për sa kohë që nuk ka ndonjë lajm për këtë iniciativë e deri më tani nuk ka, është e qartë se E Majta në zgjedhjet e ardhshme do të dalë si e vetme”, tha Goce Markovski, E Majta.
Edhe Lëvizja Besa ka mohuar zërat për koalicionim me LSDM-në.
“Sa i përket koalicionit me LSDM-në ende nuk jemi në atë fazë sepse ne si Lëvizje Besa jemi të preokupuar që të krijojmë një front të gjerë opozitar shqiptar e pastaj nuk paragjykojmë se si do të zhvillohen negociatat me subjekte të tjera”, njoftojnë nga Lëvizja Besa.
Ndërkaq analisti Petar Arsovski koalicionin e gjerë opozitar e shikon si një hap të qëlluar për të mos shpërndarë votat.
“Për opozitën në Maqedoni ka kuptim që të bashkohen në një front të gjerë opozitar, sepse në atë mënyrë do të humbej numër i vogël i votave. Për shkak të modelit zgjedhor të Maqedonisë, të gjitha ato parti që do të ngelnin me përkrahje më të vogël apo me pjesë më të vogël të votave në njësitë e ndryshme zgjedhore rrezikojnë të ndikojnë në humbjen e votave”, u shpreh Petar Arsovski, ekspert politik.
Nga Revolucioni Shumëngjyrësh thonë se nuk do të jenë pjesë e këtij koalicioni si lëvizje, por nuk përjashtojnë mundësinë që persona të caktuar të kësaj lëvizjeje të jenë pjesë e listave për deputetë.