Në seancën e kaluar plenare pati përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Jozefina Topalli hasi në indiferencën e kolegëve të saj demokratë kur bëri thirrjen për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se qeveria ka rënë. Debate të mëdha pati në momentin kur në foltore e mori fjalën ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Jozefina Topalli, një figurë e fortë në Parlament, është një zë me rëndësi brenda Partisë Demokratike. Hera-herës ajo ka qenë edhe një zë kritik brenda PD, por a do të jetë sërish pjesë e grupit parlamentar të PD edhe pas zgjedhjeve parlamentare.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, deputetja demokrate Jozefina Topalli ka shpjeguar qëndrimin e saj në Kuvend lidhur me mocionin e mosbesimit, dhe qëndrimin e kolegëve të saj. Sakaq, Topalli është shprehur se është kundër çdo lloj koalico9ni me një forcë politike të majtë.
Ju keni kërkuar një mocion mosbesimi seancën e kaluar. Por ishte e dukshme që hasët në indiferencën e deputetëve të PD. Si e komentoni? Për të shkuar të kërkesa e mocionit, duhet të them se e realizova brenda seancën plenare, nuk ishte diçka e menduar më parë, që kolegët e mi të kishin dijeni. Këtë e mendova më shumë në momentin kur pashë që ministrat nuk ishin të pranishëm. Para se të shkonim në seancë u përballem me skandalin e fundit, me akuzat e ministrit të kësaj qeverie Ylli Manjani, drejtuar kryeministrit Rama. Në çdo vend, kur ndodhin akuza të forta nga një ministër brenda qeverisë, nuk mund të bëhet sikur të mos ketë ndodhur gjë. Për ca fonde, ndoshta të justifikuara të Fillon në Francë, ka gjithë atë furtunë politike. Ndërsa tek ne nuk ndodh kështu. Nuk do të thoja që kolegët ishin indiferentë. Ata u gjendën të befasuar, dhe nuk ishte diçka e parashikuar. Duhet të ketë një kërkesë zyrtare që paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.
E keni parashtruar në PD këtë? Jo. Ju thashë, kjo ishte ajo çka unë mendova në momentin kur pashë që ministrat e qeverisë nuk ishin të pranishëm në Parlament. Për arsyen që dihet, pas largimit të Manjanit.
E keni apo jo mbështetjen e grupit për këtë? Nuk mund të them që e kisha apo nuk e kisha mbështetjen e grupit, pasi nuk ishim të përgatitur për një gjë të tillë. As unë nuk e kisha të përgatitur. Manjani është ministri i dytë që hedh akuza për situatën në Durrës, për kanabisin, etj. Nuk është nevoja që të jesh politikan për të bërë pyetjen: çfarë ndodh me këtë qeverisje. Çfarë po ndodh që kërkohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë për arrestimin e Balilit. U bënë dy ministra që akuzojnë Qeverinë, e pastaj dalin edhe deputetë brenda mazhorancës që flasin me gjuhën që opozita ka folur për këto vite.
Jeni ndër të paktët zë kritikues brenda opozitës. Ku është PD në sytë tuaj? Kjo periudhë ka patur sfida shuam të madha. Dekriminalizimi është një nga sfidat me të cilat nuk është përballur asnjë opozitë tjetër. Jemi përpjekur shumë për votimin e ligjit, por po vijojmë përpjekjen për zbatimin e ligjit.
Si e gjykoni mënyrën e drejtimit të PD? Unë kam një mënyrë tjetër të menduari sa i takon të bërit opozitë. Basha ka mënyrën e tij. Janë njerëzit ata që gjykojnë nëse është mirë kështu, apo ndryshe, me një presion me të madh. Një opozitë me sakrifica më të mëdha brenda vetes. Nuk e di, do jenë të tjerët që do përgjigjen.
A do të futet PD në zgjedhje edhe nëse nuk pranohet votimi elektronik? As nuk mund ta imagjinoj që PD të mos futet në zgjedhje. PD ka një histori të saj në këtë vend. Pavarësisht situatave në të cilat është ndodhur, PD nuk e ka menduar kurrë të mos marrë pjesë në zgjedhje. Do të ishte një lloj vetëvrasje politike, do të ishte një tradhti ndaj atyre që e kanë besuar në vite, do të ishte një vetë përjashtim nga loja. Nuk ka ndodhur dhe nuk besoj se do të ndodhë.
Po sa i takon marrëdhënieve me partitë e tjera? Për mua nuk ka asnjë problem, për koalicionin. Sa më shumë që të zgjerohet koalicioni brenda së djathtës për mua është ok, e kam shprehur që jam kundër koalicionit me partitë e majta. PD është një aset i jashtëzakonshëm, tek i cili njerëzit do të besonin për të ndryshuar situatën. Ne jetojmë në një situatë të pazakontë. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës për ngjarje të ndryshme. Për ata që nuk kanë punë, të ardhura, s’kanë asnjë mundësi, varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa faturat u shtohen, kërkojnë një zgjidhje më shumë. Kërkojnë një zgjidhje, pa menduar për karrigen apo pushtetin. Nëse nuk e kupton hallin apo varfërinë e tjetrit, nuk ke mundësi për të dhënë zgjidhjen për të gjetur perspektivën për përmirësimin e jetës së tyre.
Ju flisni për një rëndësi të madhe që ka PD. Nëse LSI do të largohej nga koalicioni aktual, a shihni një afrim me PD? Unë nuk e di se cili do të jetë vendimi i lidershipit të ri. Kam dëgjuar që ato janë kundër. Unë kam qenë dhe jam kundër një koalicioni me forca të majta.
E shihni veten deputete? Sigurisht që po. Gjithë jeta ime është parlamentarizëm. Unë në Shkodër kam qenë për herë. Ky është pasioni im, eksperienca ime, di çfarë duhet bërë, dhe si duhet bërë. Kemi bërë shumë punë gjatë kësaj periudhë, dhe ka ende për të bërë sigurisht.
Si i shihni diskutimet për koalicionet parazgjedhore? Unë do doja ta shihja forcën time politike të pavarur nga kushtet ku ndodhen partitë e tjera me votat. Shqipëria është në një udhëkryq në shumë aspekte. Ana ekonomike është e vështirë, situata me krimin, mungesa e sigurisë, ne jemi bërë një vend i mykur nga korrupsioni, i kalbur nga paaftësia dhe meskiniteti në të gjitha shkallët e administratës, i droguar nga Vermoshi deri në Delvinë. Dhe ne jemi në një situatë shumë kritike. Në këto kushte, detyrë e opozitës nuk është të shohë sesi do veprojë Meta apo Rama. Janë si dy të divorcuar që rrinë në të njëjtën shtëpi, se nuk rrinë dot pa pushtet.
A mendoni se PD do të fitojë këto zgjedhje? Padyshim që mendoj në një fitore të PD në këto zgjedhje parlamentare.
Nëse PD nuk fiton, Basha duhet të largohet nga drejtimi i PD? Mua nuk më takon ta them këtë. Aq më tepër në një kohë kur PD do të hyjë në këto zgjedhje me gjithë potencialin e saj. Me bindjen për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve, që t’i nxjerrin nga situata në të cilën ndodhen.
A do e shihnit veten si kryetare të PD? Nuk e kam menduar asnjëherë. Nuk kam menduar ndonjëherë fort për karrierën. Nëse do ta kisha menduar këtë, disa gjëra do t’i kisha bërë ndryshe, unë jam e kënaqur me ecurinë profesionale. Por jam e pakënaqur me faktin se pas 25 viteve demokraci ne jemi ende në situatë të vështirë, dhe kjo më trishton.