Vite më parë kur në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka qenë ministri Arsim Bajrami, u pat dhënë njoftimi se do të testohen mësimdhënësit, gjegjësisht do të bëhet vlerësimi i njohurive të tyre të përgjithshme, kryesisht atyre teknologjike.
Lidhur me këtë çështje, u pat bërë debat i madh sidomos pas rezultateve të dobëta të testit PISA, shkruan Gazeta Observer.
Kjo gjë pati shkaktuar shumë frikë dhe debate tek mësimdhënësit, të cilët patën mbledhur diku 15 mijë nënshkrime që kjo gjë të mos ndodhë. Por, që nga atëherë ka qenë vetëm diskutim dhe asgjë në letër, se çfarë konkretisht do të ndodhë.
Mësimdhënësit sikurse dikur në krye me SBASHK-un, sindikatë kjo e cila i përfaqëson ata për Gazetën Observer kanë deklaruar njëzëri se asesi nuk e pranojnë testimin e tyre. Kjo madje sipas tyre është veprim i ulët dhe mjaft poshtërues.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), kanë deklaruar se nuk do të ketë testim të mësimdhënësve, por nga muaji shtator do të ketë vetëm inspektim të punës së tyre.
Eliza Dibrani, mësimdhënëse në shkollën fillore ‘Dardania’, në kryeqytet, në të cilën shkollë është duke punuar ka dhjetë vite, thotë se asesi nuk pajtohet të ketë testim të mësimdhënësve.
“Nuk pajtohem asesi të ketë testim të mësimdhënësve. Kjo sepse mësimdhënësit kanë kaluar në të gjitha masat që janë caktuar nga shteti, me teste pranuese në fakultet, vlerësimi nga profesorë e universiteti…Kjo nuk është e drejtë..”, ka njoftuar Eliza për Gazetën Observer.
Ndryshe nga testimi, inspektimi për mësimdhënësen Dibrani është i mirëseardhur.
“Inspektimi në shkolla bëhet në çdo vend, kështu që edhe këtu është i mirëseardhur. Kjo sepse na ndihmon duke na dhënë këshilla dhe vërejtje të cilat mund të përmisohen”, ka shtuar më tej ajo.
Njësoj si Eliza, është shprehur edhe Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit dhe Kulturës.
“Nuk kemi pranuar dhe as nuk do të pranojmë asesi që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Përmes Këshillit të licencimit, kemi kërkuar që të mundësohet që të ketë inspektim, për të parë direkt punën e tyre me nxënësit. Ne sa kemi informacione MASHT ka bërë një plan operativ që në tetor të fillojë vizita nëpër shkolla për të parë punën e mësimdhënsve”, ka deklaruar për Gazetën Observer, Jasharaj.
Pas inspektimit të punës, ai tha se do të shihen arritjet dhe lëshimet eventuale dhe pastaj të punohet që të kalohen ato dobësi.
“Testimi i mësimdhënësve është degradues. Kanë kryer fakultetin dhe kanë diploma ku dëshmojnë se janë të përgatitur për arsim. Normalisht si krejt vendet e botës duhet vizituar dhe vlerësuar punën e tyre “, tha Jasharaj.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për Gazetën Observer kanë njoftuar se nuk do të ketë testim, por vetëm inspektim të punës.
“Në shtator të këtij viti, MAShT-i përmes Inspektoratit të Arsimit do të fillojë me procesin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve. Do të jenë të angazhuar inspektorët e arsimit të cilët janë të trajnuar për këtë proces. Nga viti i ardhshëm do të rritet numri i inspektorëve të arsimit të kyçur në këtë proces si dhe do të angazhohen ekspertë dhe vlerësues të jashtëm”, ka njoftuar Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Këtij procesi do t’i nënshtrohen të gjithë mësimdhënësit e institucioneve publike të arsimit parauniversitar në Kosovë. Nga rezultati i dalë nga vlerësimi i performancës mësimdhënësi do të avancohet në karrierë, do t’i përtrihet licenca ose do t’i ipet një vit shtesë për zhvillim profesional.
Gashi më tej ka njoftuar për mënyrën e vlerësimit të performancës e dila do të bëhet nga Inspektimi.
“Vlerësimi i brendshëm i cili i referohet komponentëve të VPM-së që kryhen nga mësimdhënësi dhe nga drejtori i shkollës: Vetëvlerësimi dhe Vlerësimi nga drejtori i shkollës.
Vlerësimi i jashtëm i cili i referohet komponentëve të VPM-së që kryhen nga Inspektorët e arsimit: Vëzhgimi i orës mësimore dhe Planifikimi dhe përgatitja me shkrim.
Niveli i zotërimit të standardeve të ndryshme analizohet përmes formularëve të veçantë të cilët janë të dizajnuara për secilin komponent të procesit të vlerësimit. Niveli i përgjithshëm i performancës, i cili përfshinë të katër komponentët e VPM-së, bazohet në total prej 140 pikësh që ndahen si më poshtë”, njofton këshilltari Gashi.
Këto janë pikët që fitohen nga vlerësimet:
Vetëvlerësimi i mësimdhënësit 10% 14 pikë
Vlerësimi nga drejtori i shkollës 30% 42 pikë
Vëzhgimi i orës mësimore 30% 42 pikë
Planifikimi dhe përgatitja me shkrim 30% 42 pikë
Në krejt këto pikë sipas MAShT-it arrihen 140 pikë që është 100 përqindëshi.
Këtij procesi do t’i nënshtrohen të gjithë mësimdhënësit e institucioneve publike të arsimit parauniversitar në Kosovë.
Nga rezultati i dalë nga vlerësimi i performancës mësimdhënësi do të avancohet në karrierë, do t’i përtrihet licenca ose do t’i ipet një vit shtesë për zhvillim profesional.
“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është proces i vazhdueshëm. Nga rezultati i dalë nga vlerësimi i performancës mësimdhënësi do të avancohet në karrierë, do t’i përtrihet licenca ose do t’i ipet një vit shtesë për zhvillim profesional.
Dugagjin Pupovci nga Qendra për Arsim e Kosovës thotë se monitorimi i punës së mësimdhënësve mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
“Mendoj se testimi i mësimdhënësve nuk është rruga e duhur për të vlerësuar kualifikimin e tyre. Ligji për Arsimin Parauniversitar parasheh që të gjithë mësimdhënësit duhet t’i shtrohen vlerësimit të performancës të paktën një herë në 5 vjet, por kjo nuk ka ndodhur deri tani me gjithë faktin që ligji është aprovuar në vitin 2011. Një vlerësim i mirëfilltë i performancës, i cili përfshin në vete monitorimin, intervistën, ekzaminimin e portofolios dhe instrumentet tjera mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies”, ka deklaruar Popovci për Gazetën Observer.
E rreth çështjes së testimit të mësimdhënësve u pat thënë se ka ardhur si pasojë e rezultateve të dobëta të testit PISA. Lidhur me këtë Pupovci thotë se nuk duhet fajësuar vetëm mësimdhënësit.
“Me siguri se cilësia e mësimdhënies është ndër problemet kryesore të sistemit tonë të arsimit dhe kjo është reflektuar edhe në rezultatet e testit PISA. Megjithatë, nuk është e drejtë të fajësohen vetëm mësimdhënësit për cilësi jo të kënaqshme të mësimdhënies. E para, ata mësimdhënës kanë dalë nga Universiteti, për të cilin e dimë se në çfarë gjendje është. E dyta, atyre nuk u është ofruar pothuaj se asnjë mbështetje profesionale, në formë këshilli apo mbikëqyrje, për të përmirësuar performancën e vet. Dhe, e treta, në shkollat tona nuk ekziston një sistem i mirëfilltë i përgjegjësisë dhe llogaridhënies i cili do të siguronte që secili e kryen punën e vet si duhet”, tha tutje Popovci.
Se inspektimi në shkolla është i mireseardhur e thotë edhe eksperti tjetë i arsimit Xhavit Rexhaj.
” Vlerësimi i mësimdhënësve mund të bëhet si vlerësim i brendshëm i performancës, në nivel të shkollës, si dhe vlerësim i jashtëm nga autoritetet shtetërore. Vlerësimi i brendshëm i performancës bëhet pas ruajtjes së vendit të punës ose për avancim.
Më e mira do të ishte nëse vlerësimi i brendshëm i performancës të ishte sistem i besueshëm dhe zhvillimor. Mirëpo në Kosovë nuk mund të ketë një sistem efektiv e të besueshëm të vlerësimit të performancës në nivel shkolle pasi që as drejtori i shkollës e as Këshilli i shkollës nuk pyetën për asgjë, as për punë, as për shpërblim për punë të sukseshme, as për dënim për punë cilësore sikurse as për largim nga puna”, thotë Rexhaj për Gazetën Observer.
Kjo sipas tij mbase mund të jetë edhe arsyeja që sistemi arsimorë në Kosovë nuk funksionon si duhet.
“Rezultatet e testit PISA, janë vetëm një tregues i performancës së dobët të sistemit tonë arsimor. Shkollat e Kosovës nuk kanë treguar rezultatet të lakmueshme as në testin e maturës. Kujtojmë raste të shumta kur Ministria e ka ulur pragun e kalueshmërisë për të rritur përqindjen e nxënësve që kalojnë maturën…”, deklaroi ai.
Sipas tij autoriteve arsimore nuk u mbetet tjetër pos të shikojnë se ku po ngec puna për sigurim të shërbimeve cilësore arsimore në Kosovë.
“Një prej këtyre mënyrave është vlerësimi i jashtëm i mësimdhënësve si një nga mënyrat për sigurimin e llogaridhënies për punën dhe performancën e shkollave..”, shtoi ai./Gazeta Observer