A do të ketë problem me pensionet? Ibrahimi: Për këtë duhet të pyesni qeverinë e re

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, nuk ka dashur t’u përgjigjet mbrëmë pyetjeve të drejtuara nga protestuesit pensionistë se çfarë do të ndodhë me pensionet e tyre kur të ndryshot qeveria aktuale. Ibrahimi tha se kjo pyetje i duhet bërë ekzekutivit të ri kur të formohet.
“Unë nuk mund t’u them asgjë, kjo është pyetje politike për partitë që kanë pretendime të vijnë në qeveri, duhet t’i pyesni ata, unë nuk mundem t’u përgjigjem”,– deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Ibrahimi u tregua i gatshëm të përgjigjet vetëm për shërbimet për pensionistë të miratuar nga qeveria aktuale. Ai tha se është shtuar interesimi për rekreim klimatik në banja nga ana e pensionistëve dhe për fundjavat pa pagesë. Sipas tij, 20 mijë pensionistë janë paraqitur të shfrytëzojnë këto shërbime brenda këtij viti.
Që nga viti 2010, kur zbatohet ky projekt, rekreimin klimatik në banja e kanë shfrytëzuar 37 mijë e 193 pensionistë.

