Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama në emisionin “Interaktiv” të mbajtur me 18 nëntor të këtij viti kishte zbuluar plane mbi atë se si do të duket Ushtria e Kosovës.
Edhe tre dite kanë mbetur derisa ushtria të themelohet dhe autoblindat e parë për të kanë mbërritur nga Amerika.
Por një gjë është e qartë ushtria e Kosovës nuk do të ketë armatim të rëndë.
Këtë e pati pranuar edhe vetë komandanti Rama.
“Është pyetje që është pak herët që të deklarohemi, por jam i sigurt që pas vendimit politik, do të njoftoheni me kohë. Ditët e hapura [për qytetarët] do të ndodhin edhe në të ardhmen. Dyert tona janë të hapura çdo ditë për qytetarët. Kemi qenë transparent dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë pasi nuk kemi çfarë të fshehim. Ne jemi të detyruar që t’i japim llogari qytetarëve, përveç institucioneve. Unë duhet të raportoj dhe të jap përgjegjësi për zhvillimet që ndodhin”, ka thënë Rama.
“Problemin më të madh e kemi te mentaliteti. Strategjia e sigurisë në nivel global ka ndryshuar. Mund të them se nuk do të kemi tanke. Jemi vend i vogël ndërsa qëllimi ynë është që të jemi pjesë e NATO-s. Kur je pjesë e NATO-s është ndryshe”, ka thënë ai.