A do t’i bashkohet NISMA protestës së VV-së për shkarkimin e Thaçit?

310

Ftesës së partisë së Albin Kurtit për protestë më 29 shtator 2018 për shkarkimin e presidentit Hashim Thaci nuk do t’i bashkëngjitet partia NISMA për Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Observer deputeti i kësaj partie, Milaim Zeka.

Sipas tij, nuk ka ndonjë motivim për t’iu bashkëngjitur kësaj proteste, pasi që partia e NISMA-s nuk ka pasur thirrje për protestë të tillë, dhe se thirrja për një çështje të tillë, sipas tij po bëhet për arsye personale.

“Këtë e ka organizuar Vetëvendosja, nuk e kemi thirrë ne e as NISMA, as kërkush dhe nuk kom kurrfar aryse në mënyrë absolute, kurrfarë motivacioni me dalë në protesta të këtilla. Se nuk kanë dhënë kurrfarë sqarimi pse, qysh, tek dhe nuk kanë bërë asnjë ftesë partive politike për bashkëngjitje. Është thënë që kanë bë bisedime me LDK-në dhe nëqoftëse zgjedhet problemi me shkarkimin e Thaçit do të ishte mirë. Po, nuk ma merr mendja, kjo po bëhet për qëllime personale”, tha Zeka.

Ndryshe, Vetëvendosje ka paralajmëruar se protestat do të rifillojnë me datën (29 shtator 2018) në sheshet e Prishtinës për ta kundërshtuar iniciativën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve dhe kompromise të dhimbshme me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut.

Megjithatë, ftesës së partisë së Albin Kurtit për protestë nuk do t’i bashkëngjiten as ish-bashkëpartiakët e tyre, të cilët qe disa muaj janë bërë pjesë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Në anën tjetër, as partia tjetër opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të protestojë bashkë me Vetëvendosjen./Gazeta Observer

Comments