A po kërkohen hetime kundër ekspertëve të pavarur për rastin Dehari


Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Prokurorisë që të zgjeroj hetimet në rastin e vdekjes së Astrit Deharit, vendim ky që zakonisht merret nga prokurori.
Vetë ministrja e Drejtësisë ka treguar që e ka bërë kërkesën, kur ka folur të martën në Kuvendin e Kosovës.
Derisa është e qartë që MD-ja e ka bërë këtë kërkesë, nuk është e qartë përmbajtja e letrës dhe kërkesës që Hoxha ia ka drejtuar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
Ministria e Drejtësisë e ka arsyetuar veprimin bazuar në nenin 78 të Kodit të Procedurës Penale – kallëzim penal nga organet publike.
Por vetëm një paragraf më poshtë ka thënë se nuk ka paraqitur kallëzim penal por vetëm ka bërë një kërkesë për Prokurorinë.
Me këtë ka thënë se nuk ka bërë ndërhyrje në institucionin e pavarur të Prokurorisë, duke u thirr në nenin 6 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit Prokurori nis hetim pas marrjes së informacionit edhe nga një institucion tjetër publik.
Ministria e Drejtësisë nuk ka dashur të përgjigjet nëse ka kërkuar hetim për ekspertët e pavarur, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj si dhe për avokatin Tomë Gashi. Por, këtë e ka konfirmuar Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës.