A po tolerohet kaosi në Hasanbeg dhe pse nuk arrestohen vandalistët që demoluan shkollën?!
Kanë kaluar plotë 48 orë dhe askush nga Hasanbegu i Shkupit nuk është arrestuar nga policia për demolimin e shkollës së vjetër fillore, “25 Maji”. Zëdhënësja e policisë për qytetin e Shkupit, Liza Bendevska ka deklaruar për Zhurnal se deri më tani policia nuk ka arrestuar asnjë person në lidhje me incidentin që ka ndodhur ditë më parë në një shkollë të vjetër në Hasanbeg të Shkupit, ku është demoluar inventari i kësaj shkolle fillore.
“Deri më tani policia nuk ka arrestuar asnjë person për rastin në Hasanbeg. Mirëpo policia ende po punon për ta ndriçuar rastin në fjalë” deklaroi Bendevska duke ripërsëritur vetëm raportin e fundit të policisë se në orën gjashtë e 40 minuta, në rrugën Alija Avdoviq, në shkollën e vjetër të 25 majti nga ana e personave të panjohur, duke e hapur me forcë derën e shkollës kanë kryer vjedhje të rëndë, me çka janë marr dy rruter dhe është dëmtuar një fotokopir, disa radiator, një projektor, një Tvpranues i sinjalit si dhe është thyer xhami i një dritareje. Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi i hetuesisë i cili ende po punon për ta ndriçuar rastin” – ka deklaruar Liza Bendevska.
Ndryshe, mësohet se në Hasanbeg të Shkupit po mbizotëron një kaos i vërtetë, për shkak se policia siç duket me qëllim po toleron kaosin në këtë vendbanim shqiptarë.
Zhurnal raporton se, si është e mundur që të kalojnë plotë 48 orë dhe askush mos të arrestohet nga policia për vandalizmin në shkollë e vjetër të Hasanbegut, “25 Maji”. Nga ana tjetër për shkak të keqpërdorimit të ndihmave humanitare nga persona të caktuar në Hasanbeg, shtabi i emergjencës në lagjen e Hasanbegut dje i ka informuar të gjitha organizatat joqeveritare, institucionet dhe bamirësit se e “ndalë” aktivitetin e saj për pranimin e ndihmave.
Ky është alarmi më tronditës se në mënyrën indirekte se në Hasanbeg po mbizotëron një gjendje kaotike.
Ditë më parë një imam nga Hasanbegu përmes thirrjes publike nga altoparlanti i xhamisë së këtij fshati, ka bërë të ditur se vullnetarë të cilët po ndihmojnë në Hasanbeg janë duke u rrahur, andaj ai apeloi urgjentisht që tortura ndaj vullnetarëve të ndërpritet urgjentisht.
Jo-zyrtarisht mësohet se një grup që dyshohet se merret me aktivitete kriminale, para katër ditëve ka vjedhur dy kamion me ndihma humanitare, ndihma të cilat kanë qenë të dedikuar për banorët e prekur nga përmbytjet e fundit.
Po ashtu mësohet se për shkak të këtij kaosi, një pjesë e madhe e banorëve të Hasanbegut kërkojnë që brenda në fshat të ketë prani të forcave speciale policore, të cilët do të kishin vendosur një rend në këtë fshat ku shumica janë shqiptarë.