Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve në Istog.
Kjo deklaratë e AAK-së ka ardhur pas asaj të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se ka pasur parregullsi në këtë proces, njofton Klan Kosova.
Dreshaj e ka përmbysur rezultatin ndaj Haki Rugovës së LDK-së gjatë numërimit të votave me kusht.
Më poshtë deklarata e plotë e AAK-së:
Për procedurën e njëjtë të votimit, kur LDK mori votat me postë në Istog në raundin e parë Isa Mustafa nuk u ankua, kur i humbi të njëjtat vota filloi ankesat!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përcjell me shqetësim deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, pas numërimit të votave me postë në Komunën e Istogut, ku fitues ka dal kandidati ynë z. Gani Dreshaj.
Deklaratat e ngutura dhe të pamatura të zyrtarëve të LDK-së, i konsiderojmë si përpjekje për të hequr vëmendjen para qytetarëve të Istogut dhe Kosovës, humbjen e kandidatit të tyre në këtë komunë. LDK, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk kishte asnjë ankesë edhe pse shumica e votave me postë ishin për kandidatin e tyre në garën për Kryetar të Istogut.
Ia rikujtojmë z. Isa Mustafa, se mbështetja me vota arrihet edhe përmes marrëveshjeve politike në mes të subjekteve që përfaqësojnë votues, duke i kujtuar këtu se është e njëjta mbështetje sikur e keni marrë mbështetjen e AAK-së në garën e balotazhit në zgjedhjet për komunën e Prishtinës.
Tendenca për presion mbi mekanizmat e administrimit të zgjedhjeve është i papranueshëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Edhe humbja është pjesë e demokracisë, dhe ne presim që fituesi i këtyre zgjedhjeve në Istog, z. Gani Dreshaj të urohet nga të gjitha palët.