AAK: Spitalit milionësh të Vushtrrisë i bie tavani edhe në repartin e kirurgjisë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dega në Vushtrri ka reaguar ndaj gjendjes së ‘’Spitalit milionësh të Vushtrrisë’’.
Sipas AAK-së pas avarisë së ullukët pastaj pëlcitjes së tubave të ujit në spitalin e përgjithshëm ‘’Sheikh Zayed’’ së fundi para disa ditësh edhe në repartin e kirurgjisë të këtij spitali ka rënë tavani, gjë që ka shkaktuar rrëmujë të madhe në korridor, njofton Klan Kosova.
Dega e AAK-së ka kërkuar në mënyrë urgjente nga organet përgjegjëse për të bërë një hetim rreth kësaj çështjeje si dhe përgjegjësit të përballen me ligjin.
Për më shumë ja dhe reagimi i plotë i AAK-së:
‘’DEGA E AAK-së NË VUSHTRRI E SHQETËSUAR NGA AVARITË NË SPITALIN MILIONËSH TË VUSHTRRISË
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar në mënyrë solemne ishte bërë përurimi i renovimit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, të cilit renovim më shumë se askush tjetër iu gëzuan qytetarët Vushtrrias me shpresë se tani e tutje ky institucion shëndetësor do t’ua përmbush nevojat e tyre pasi që posedon një infrastrukturë moderne shëndetësore. Por avaritë në spitalin milionësh “Sheikh Zayed“ në Vushtrri nuk kanë të ndalur.
Pas avarisë me ullukët e këtij spitali, pastaj pëlcitjes së tubave të ujit në pjesën e tavanit, ku i tërë tavani ka rënë në tokë dhe uji ka rënë edhe mbi pajisjet e sallave të Emergjencës, së fundi para disa ditësh edhe në repartin e kirurgjisë të këtij spitali ka rënë tavani, gjë që ka shkaktuar rrëmujë të madhe në korridor.
Të gjitha këto avari të ndodhura në spitalin milionësh të Vushtrrisë kanë rrezikuar jetët si të personelit shëndetësor po ashtu edhe të pacientëve.
Dega e AAK-së në Vushtrri në mënyrë urgjente kërkon nga organet përgjegjëse të bëhet një hetim dhe përgjegjësit të përballën me ligjin’’.