Ademi dhe Bejli përurojnë projektin “Kopsht me sensor”

242

Që sot për nxënësit e Shkollës Shtetërore “Dimitar Vllahov” në Shkup hapet një mundësi e re për të mësuar në praktikë mësimet nga lënda e orientimit në natyrë.

Falë projektit “Kopsht me sensor” që u vë sot në funksion nga ministri i arsimit dhe shkencës, Dr.Arbër Ademi dhe ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, nxënësit e kësaj shkolle do të mund t’i zhvillojnë shkathtësitë fizike, aftësitë për orientim dhe lëvizje në ambient (hapësirë), për identifikimin e karakteristikave dhe veçorive të bimëve dhe kulturave bujqësore, për ndjekjen e procesit të tyre prodhues e kështu me radhë.

Ministri i arsimit dhe shkencës, Ademi para të pranishmive theks të veçantë i kushtoi të drejtave që iu garantohen kësaj kategorie të nxënësve.

“Avancimi i inkluzivitetit dhe i cilësisë së procesit edukativo-arsimor të nxënësve me aftësi të kufizuar, zgjerimi i mundësive arsimore për ta, e më pas edhe mundësive për punësim dhe në përgjithësi sigurimi i të gjitha të drejtave që ua garanton Kushtetuta dhe korniza juridike e shtetit është obligim jo vetëm i institucioneve të sistemit, por edhe i çdo individi dhe i secilës organizatë që është pjesë e proceseve të përgjithshme shoqërore”- theksoi Ademi.

Ky projekt është realizuar me mbështetjen e  Odës Ekonomike Amerikane në Maqedoni të cilët kanë dhënë donacion që ky projekt të realizohet, si dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët vite me radhë janë partnerë në përmirësimin e të gjitha sferave të jetës shoqërore në vend.

I pari i arsimit ka shprehur falënderim të veçantë për të gjithë mbështetësit e projekteve të tilla dhe të gjitha aktiviteteve të tilla që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së procesit edukativo-arsimor të nxënësve me aftësi të kufizuar.

“Dua të shpreh falënderimin tim për Odën Ekonomike Amerikane në Maqedoni dhe të gjitha anëtareve të saj të cilat kanë dhënë donacion që ky projekt të realizohet, si dhe dua të falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila vite me radhë janë partnerët tanë të sinqertë në përmirësimin e të gjitha sferave të jetës shoqërore në vend. Gjithsesi më duhet të lavdëroj përkushtimin e stafit udhëheqës dhe të punonjësve të këtij institucion” – tha ministri Ademi.

Comments