AFAD KA DHURUAR LAVATRIÇE DHE KUZHINA PËR TË PËRMBYTURIT NGA VËRSHIMET (FOTO)



Kryesia e Qendrës për menaxhim me kriza dhe gjendje të jashtëzakonshme e Republikës së Turqisë (AFAD) me 6 dhe 7 Gusht në Hasanbeg të Shkupit banorëve të prekur nga vërshimet edhe njëherë iu doli në ndihmë duke shpërndarë donacion prej 500 lavatriçeve dhe 500 kuzhinave.
Në organizimin e procesit të shpërndarjes së donacionit morrën pjesë: zëvendëskryetari i AFAD-it Hamza Taşdelen, kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti dhe nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup – Bunjamin Kutllu.
Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti para gazetarëve shprehu faleminderime për donacionet e pranuara nga Komunat e Republikës së Turqisë të përfshira në aksionet humanitare, Ambasadën e Republikës së Turqisë, Organizatën TIKA dhe Qendrën për menaxhim me kriza dhe gjendje të jashtëzakonshme të Republikës së Turqisë (AFAD).
Gjatë deklaratës së tij kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti tha: “Në kohët më të vështira institucionet e Republikës së Turqisë vazhdimisht kanë qenë pranë nesh. Shpresojmë se në të ardhmen do të takohemi për bashkëpunim në raste më të mira”. Donacioni prej 500 lavatriçeve dhe 500 kuzhinave u është shpërndarë 500 familjeve të prekura nga vërshimet.