Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se janë në përfundim të përzgjedhjes të të gjitha emrave për kandidatë për kryetarë komunash dhe të njëjtat pritet të zyrtarizohen më 10 shtator në Shkup, ku do të mbahet Kuvendi qendror i partisë.
“Në Çair kemi shkuar me profesor Faruk Avdiun, i cili ka qenë deri më tani edhe kryetar i degës së Çairit brenda Aleancës për Shqiptarët. Në Tetovë kemi shkuar me themeluesin e Aleancës për Shqiptarët në rrethin e Tetovës, Adnan Nezirin, në Vrapçishtë me Isen Shabanin, kryetar aktual i degës së Vrapçishtit, dhe në Gostivar me të nderuarin ministër të Shëndetësisë, Arben Taravarin. Në Haraçinë do të garojmë me Isen Ramadanin”,- tha shefi i shtabit qendror zgjedhor në LR-PDSh, Naim Bajrami, njofton TVM2.
Edhe Lëvizja “Besa” ka përzgjedhur tashmë disa prej kandidatëve të sigurtë. Në Tetovë, “Besa” garon me kryetarin e partisë, Bilall Kasamin, në Çair me Zeqirija Ibrahimin, në Gostivar – Asaf Ademin, në Haraçinë -Ali Ismailin, në Dibër – Xhemail Çupin, në Bërvenicë – Selatin Jusufin, në Likovë – Shaban Zendelin, në Studeniçan – Rexhep Memedin, në Bogovinë -Minur Asanin dhe në Zhelinë – Blerim Sejdiun. Edhe pse kandidaturat na i bënë me dije nga vetë partia, thonë se vendimi përfundimtar gjithsesi i takon Këshillit Qendror.
Partia Demokratike Shqiptare në Komunën e Likovës do të garojë me Bardhyl Destanin, në Studeniçan me kryetari aktual, Azem Sadikun, në Dollnen – Eroll Abdiun. Nga PDSh njoftojnë se deri të dielën do të zyrtarizojnë edhe kandidaturën e Bardhyl Dautit për Tetovën, në komunën e Bogovinës do të kandidohet Elvir Iseni, në Tearcë – Ruhan Iliazi, në Komunën e Çairit- Idriz Orana, ndërsa në Saraj – Sefedin Aliu.
Nga BDI nuk ka informacion për ndonjë emër të ri. Veç zyrtarizimit të kandidaturave për Kërçovën, Çairin dhe Studeniçanin, kandidaturat e tjera në BDI mbeten vetëm në kuadër të listave të dorëzuara nga degët, por ende presin dritë jeshile nga selia në Reçicë. Jozyrtarisht rikandidim presin kryetarët aktualë të Tetovës dhe Gostivarit, Teuta Arifi e Nevzat Bejta.
Posti i meparshem
Po, kjo ka shumë rëndësi, të qëndrosh me thjeshtësi pranë njerëzve!
Comments