Procesi i Berlinit dhe Agjenda e Reformave janë ura që lidhin vendet e rajonit të cilat do të na ndihmojnë të bëhemi më të mirë, më konkurrues dhe më të forta si shtete. Këtë e theksoi zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov, e cila nënvizoi se këto procese janë ndër prioritetet kryesore, jo vetëm si detyrim, por si nevojë për të gjithë.
“Ky është një shans për bashkim ekonomik, sociologjik dhe kulturor të rajonit, përmes të cilit do t’i identifikojmë dobësitë tona dhe do t’i shndërrojmë në mundësi. Është gjithashtu një shans që të afrohemi më shpejt drejt Bashkimit Evropian duke zbatuar standardet dhe vlerat evropiane”, u shpreh Viktorija Trajkov – zëvendësministre për Çështje Europiane.
Procesi i Berlinit u iniciua për shkak të ngecjeve në proceset eurointegruese në rajon, tha Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, duke shtuar se ai duhej të sillte efekte më të mëdha.
“I mungonte iniciativa, i mungonte presioni më i madh i brendshëm mes parlamenteve dhe në njëfarë mënyre u bë peng i disa mosmarrëveshjeve bilaterale në rajon, për shkak të të cilave shumë masa nuk mund të finalizoheshin. Megjithatë, pati përparim të madh në tregun e përbashkët”, potencoi Marko Troshanovski – Instituti për Demokraci.
Sipas Diana Toskës nga Fronti Evropian, proceset evropiane nuk janë vetëm procese teknike, por ide për të ndërtuar një shtet funksional, stabil dhe evropian.
“Agjenda e Reformave dhe Plani për Rritje janë detyrë e brendshme që duhet ta përmbushim. Por rruga drejt Bashkimit Evropian nuk realizohet vetëm përmes nismave – ajo hyn në çdo institucion, çdo ligj, çdo procedurë dhe çdo politikë që zbatojmë në vend”, theksoi Dijana Toska nga Fronti Europian.
Sanja Llukarevska nga LSDM theksoi se Procesi i Berlinit, Agjenda e Reformave dhe Plani për Rritje duhet të shqyrtohen paralelisht me Raportin e Komisionit Evropian për të parë se ku ka përparim vendi.
“Ajo që shqetëson është se që nga viti 2021, kur u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit, konkluzioni kryesor ishte se zgjerimi mbetet qëllim strategjik, pra investim strategjik për paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë – dhe kjo vlen për ne dhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të njëjtat përfundime dhe e njëjta nevojë vlejnë edhe sot në vitin 2025″, u shpreh Sanja Lukarevska nga LSDM.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me qëllim krijimin e një kornize të fortë për bashkëpunim ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, si dhe për t’i përgatitur vendet për anëtarësim në Union.

