Agjentët e shërbimit sekret gjerman përcillnin çdo hap të Nënë Terezës, Kisha ishte e mbushur përplotë spiunë

325

Shërbimi skeret gjerman ishte shumë i interesuar për jetën dhe veprën e humanistes Nënë Tereza. E lindur në vitin 1910 në Shkup, me origjinë shqiptare dhe me pasaportë indiane, ajo qysh në vitet e pesëdhjeta filloi të ndihmojë njerëzit e varfër në Kalkuta të Indisë.

Atje ajo themeloi bashkësinë e Misionareve të Bamirësisë dhe me punën dhe përkushtimin ndaj këtij komuniteti, në vitet e shtatëdhjeta u bë e njohur në mbarë botën. Në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Për komunistët në pushtet në Berlinin lindor Kisha ishte e huaj, shpesh ishin armiqësorë ndaj klerikëve, por ishin kureshtarë ndaj “mysafirëve të huaj”. Ata donin të përfitonin mediatikishtt duke i dhënë asaj epitetin e mysafires së rangut të lartë, transmeton InfoPress.

Në dokumentet e shërbimit sekret gjerman mund të lexohet se zyrtarët nuk arritën të bien dakord mbi atë se si të shkruajnë emrin e saj. Kështu, që shpesh emri i saj gjendet i shkruar si “Mutter Tereza” dhe “Mutter Thereza”, “Mutter Teresia”, por edhe siç njihej nga motrat në Indi ” Mary Tereza Bojaxhiu”.

Policia e Gjermanisë Lindore nuk kishin punë të lehtë me Nënë Terezën, jo vetëm për shkak se ishte murgeshë, por edhe për shkak se ajo shpesh ndryshonte planet në momentin e fundit. Vinte ditën vonë dhe qëndronte më shumë se që kishte paralajmëruar. Kur në vitin 1986 gazeta “Berliner Morgenpost” njoftoi se Nënë Tereza do të vijë së shpejti të vizitojë edhe pjesën perëndimore dhe atë lindore të Belinit, kjo ishte diçka e re për shërbimin sekret. Me pjesën e prerë të gazetës në dosje shkruhej: “Deri më tani asgjë nuk është e njohur, departamenti kryesor XX VI është i informuar.”

Ardhja e Nënë Terezës është evidentuar me precizitet: Ka arritur me Mercedes zyrtar të Konsullatës së Përgjithshme të Indisë dhe u largua me aeroplan. Po ashtu në dokumente precizohet edhe urdhëri që “kufirin ta kalojë pa kontroll doganor”.

Kisha ishte përplot agjentë

Më spektakolare ishte vizita e parë e Nënë Terezës në Gjermani në vitin 1980. Në Berlinin perëndimor u mbajt tubimi i besimtarëve katolikë të Gjermanisë kurse Nënë Tereza, Sekretariatit Shtetëror për çështjet e kishës të Gjermanisë Lindore i kishte dërguar kërkesë që më 5 qershor në festën e madhe katolike, të bëjë një vizitë në Katedralen e Shën Hedwig në Berlinin Lindor. Lutja arriti deri te Ministri i Sigurisë Publike, Erich Milkea.

Ai miratoi kërkesën që Nënë Tereza të kalojë vendkalimin kufitar në Heinrich Heine edhe pse ishte e huaj, kurse në anën tjetër agjentët sekretë ishin “të përgatitur mirë” për vizitën e saj.

Në Meshë kishin kërkuar të vinin mijëra besimtarë nga Lindja dhe Berlini Perëndimor. Policia vendosi që aty të marrin pjesë vetëm 2,544 njerëz. Kisha ishte plot dhe në të madje gjindeshin edhe 115 anëtarë shtesë të shërbimit sekret. Tërë mesha është regjistruar me kujdes përmes kamerave, dhe në dosje janë vendosur edhe shumë fotografi.

Sigurisht, policisë sekrete i interesonte kryesisht me kë takohej Nënë Tereza dhe nëse ata përbënin “elementë anti-shtetërorë”.

Bëni të pamundurën që të fotografoheni me të

Interesim më të madh ka zgjuar vizita që Nënë Terza i bëri qytetit Chemnitz në vitin 1984. Atëherë qyteti ende quhej Karl Marx. Problemi ishte se kryetarit të atëherëshëm të qytetit, Kurt Miller askush nuk ia kishte bërë me dije se do të arrijë Nënë Tereza.

Vetëm kur ajo tashmë ishte në qytet, kryetari i dërgoi letër Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Fetare me pyetjen – Çfarë kërkon ajo këtu? Urdhëri nga Berlini ishte i qartë: Kryetari komunës duhet ta ketë të qartë se është “interes i lartë shetëror” që ai të takohet me Nënë Terezën – natyrisht para kamerave të televizionit shtetëror dhe shtypit.

Urdhëri tjetër ishte që kryetari i bashkisë të bëjë të paktën një foto me Nënë Terezën të cilën pastaj, Agjencia shtetërore e lajmeve do t’ia prezantonte tërë botës.

Duke mos hezituar kryetari i bashkisë organizoi një pritje në sallën e qytetit dhe i dërgoi ftesë Nënë Terezës. Por, në vend të Nënë Terezës u shfaq vetëm një prift lokal i cili kryetarit të bashkisë i përcolli mesazhin e Nënë Terezës se, për fat të keq, këtë herë ajo nuk kishte kohë për të qenë e pranishme në pritjen e komunës.

Pas kësaj përgjigje kryetari i bashkisë e kishte të qartë se ka vetëm një mënyrë për të përmbushur detyrat e Berlinit. Me një monografi të qytetit të Berlinit dhe një buqetë me lule nxitoi në manastirin ku po qëndronte Nënë Tereza – i ndjekur nga televizioni shtetëror.

Nënë Tereza sigurisht që nuk mund ta refuzonte atë, dhe mediat e Gjermanisë Lindore e njoftuan botën për “takimin e përzemërt”, që kishte kryetari i bashkisë me Nënë Terezën. /GazetaInfoPress

Comments