“Agjenti” i shërbimit sekret maqedonas mashtron një zviceran, ja emri i tij

279

Një komedi e vërtetë është duke u zhvilluar në një burg të Zvicrës në St. Gallen. Një mashtrues zviceran i dënuar me burg, nuk është kthyer më në q`eli pas pushimit të rregullt të fundjavës. „Kam nevojë të jem i qetë“, i ka informuar me një letër autoritetet e burgut. Gjatë qëndrimit të tij në burg, ai e ka blerë një sipërmarrje në Liechtenstein. Me këtë rast, si duket ka qenë viktimë e një mashtruesi nga Maqedonia.

Pesëdhjetëenëntëvjeçari Peter E. ka qenë duke vuajtur dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë vitesh e katër muajsh burg, për shkak të mashtrimeve me pasuri të patundshme. Për rreth 16,4 milionë euro, zvicerani i kishte mashtruar bankat dhe sigurimet zvicerane.

Hetuesit kanë zbuluar se gjatë qëndrimit të tij në burg, ai ka blerë një sipërmarrje në Liechtenstein, në muajin maj. Sipërmarrja nuk është më aktive, por ka një pako aksionesh në vlerë prej rreth 45.600 eurosh.

 

Për blerjen e saj, zvicerani i burgosur ka paguar rreth 365 mijë euro, prej të cilave 137 mijë para të gatshme informojnë nga „20 Minuten“, duke u bazuar në marrëveshje e kontrata të shumta, transmeton „Shtegu.com“.

Shitësi është shtetasi nga Maqedonia Bejadin M., i cili edhe personalisht është i njohur për mashtrime. Së bashku me një bashkëpunëtor tjetër, ai është paraqitur si bashkëpunëtor i shërbimit sekret maqedonas dhe si hetues sekret i autoriteteve shtetërore zvicerane. Në shumën e blerjes së sipërmarrjes është përfshirë edhe premtimi se zvicerani do të lirohej nga burgu deri më 31 korrik i këtij viti.

Sipas marrëveshjes, 230.000 nga 365.000 euro do të paguheshin vetëm në rast të lirimit të suksesshëm nga burgu. Kjo gjë nuk ndodhi, ndërsa ende nuk dihet se ku janë derdhur 137 mijë euro.

Comments