Muaji i Ramazanit është një nga periudhat më të rëndësishme fetare, sepse gjatë tij pastrohen shpirtrat, afrohen zemrat më pranë krijuesit të Tyre, hapen dyert e parajsës, shtohet mirëbërja; në këtë periudhë-muaj zbriti Kurani famëlartë, Muhamedit (a. s.), pejgamber si udhëzues për njerëzit, dallues mes të mirës e të keqes, udhërëfyes kah mirësia dhe dallues i rrugëve të humbjes e të përparimit.
Shkruan: prof. Resmije Xhaferi Sait
Zoti e obligoi agjërimin e Ramazanit, i cili i shpërblen agjëruesit, realizon premtimin, kështu që Bujaria e Tij s’krahasohet me asgjë. “O ju që besuat, agjërimi ju eshte bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu qe te bëheni të devotshëm,’’( el – Bekare ,183), d.m.th. Allahu (xh. sh.) e bëri obligim agjërimin ashtu siç e bëri për të gjithë popujt e mëhershëm. Shembulli dhe krahasimi ka te bëjë me gjenëzen e detyrimit të agjërimit, e jo me kohën dhe mënyrën se si bëhet ai. Andaj, kemi të bëjmë me faktin se agjërimi në shpirt mbjell moral ose sjellje të devotshmërisë, e dobëson epshin, e përforcon vullnetin dhe vendosmërinë. Agjërimi e afron adhuruesin më afër Krijuesit, e njëherit atij i pranohet edhe lutja. Allahu (xh. sh.) në Kuran thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për mua, Une jam afër, i pergjigjem lutjes kur lutësi me lutet; pra, për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojne Mua.” (El Bekare ,186)
Për lutjet ka kohë dhe momente në te cilat shpresohet pranimi i tyre, siç janë: koha e syfirit, e iftarit, koha e vështiresisë, koha mes ezanit dhe ikametit, koha e udhëtimit, periudha e sëmundjes, gjatë rënies së shiut dhe gjatë rreshtimit për në luftë; momente këto që përfshihen në traditën, Sunnetin e Resulullahut (s.a.v.s.).
Kuptimi i sintagmës “…le të më përgjigjen ata Mua…” (El Bekare ,186) d.m.th. ka domethënien e urdhrit e Zotit: Le ta pranojnë thirrjen Time për atë qe i kam urdhëruar, për besim dhe nënshtrim. E nese e bëjne këte, atëherë e kanë pasuar rrugën e shpëtimit dhe te vërteten.
Rreth rëndësisë së agjërimit dhe përgjithësisht muajit Ramazan flasin edhe shume hadithe të Pejgamberit (a. s.), Sunneti i tij, por edhe shumë dijetarë të urtë.
Përcillet nga Ebu Hurejre (r. a.) se Muhammedi (a. s.) thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me një besim të paluhatshëm dhe duke shpresuar në shpërblim, atij i falen mëkatet (e vogla) e së kaluarës. Po ashtu, ai i cili e manifeston (me ibadet) natën e Kadrit me një besim të paluhatshëm dhe duke shpresuar në shpërblim, po ashtu i falen mëkatet (e vogla) e së kaluarës.” (Transmetojnë: Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu, ndërsa teksti është i këtij të fundit)
Tirmidhiu përcjell nga Muadh bin Xhebeli, i cili ka thënë: “I thashë Muhammedit (a. s.): “Më trego për një veprim i cili do të më largonte nga xhehenemi’. Ai (Muhammedi a. s.) tha: ‘Ke pyetur për një çeshtje madhore, ajo çështje i lehtësohet atij të cilit ia lehtëson Allahu (xh. sh.). Ajo është të adhurosh Allahun (xh. sh.). duke mos i bërë shok askënd, ta zbatosh namazin, ta zbatosh zeqatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta zbatosh haxhillëkun po qe se ke mundësi.” Dhe vazhdoi Muhammedi (a. s.): “A dëshiron të tregoj për rrugët e dobishme? Agjërimi është mbrojtës, sadakaja (lëmosha) dhe namazi i myslimanit në thellësinë e natës i eliminojnë gabimet (mëkatet) ashtu siç e shuan uji zjarrin.” Pastaj, Muhamedi (a. s.) lexoi fjalët e Allahut (xh. sh.) (“I heqin trupat e tyre prej shtretërve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe shpresa dhe nga ajo që ne u kemi dhënë (pasuri) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.“ (Es-Sexhde, 16-17) Në vazhdim Muhamedi (a. s.) tha: “A dëshiron të të informoj për çështjen kryesore, për shtyllat e saj dhe për kulminacionin e saj?” Muadhi përgjigjet: “Po, o pejgamber i Allahut.” Muhamedi (a. s.) tha: ‘Çështja kryesore është Islami, shtyllat e saj janë namazi dhe kulminacioni i saj është përpjekja në rrugën e Allahut (xh. sh.).” Më pastaj, Muhamedi (a. s.) tha: “Të mjafton kjo!” dhe bëri shenjë në gjuhë. Muadhi i tha: “A merremi në përgjegjësi për atë që flasim me gjuhë?” Muhamedi (a. s.) tha: “Lum nëna që të ka, o Muadh, po njerëzit nuk përplasen me fytyrë në xhehenem – ose ka thënë me turi – përveçse për shkak të përgojimit.”
Ibn Hazimi nga koleksioni i tij “Sahih” informatën e zgjedh si të saktë, të cilën e transmeton nga Bejhekiu, ndërkaq Ebu Shejh bin Habbani për çështjen e shpërblimit përcjell nga dy të parët, të cilët e përcjellin nga Selman Farisiu, e ky nga Muhamedi (a. s.), se një ditë Pejgamberi e ka mbajtur një ligjëratë në ditën e fundit të Shabanit, duke thënë: “O njerëz, juve ju bën hije një muaj i madh e i bekuar, muaj në të cilin është një natë më e dobishme se një mijë muaj. Allahu agjërimin e ka bërë farz (obligim), namazin e teravisë, ibadetet -vullnetare. Kush në të bën një të mirë (jo obligative), ajo vlen sikur ta kishte bërë një farz (obligim) jashtë tij (Ramazanit). Kush e zbaton një obligim në të, konsiderohet sikur të kishte zbatuar shtatëdhjetë obligime (farz) jashtë tij. E ai është muaji i durimit – e shpërblimi i durimit është xheneti, po ashtu është muaji i qetësisë, i ndihmës reciproke dhe në të besimtarit i shtohet furnizimi (risku).” Më tej vazhdon e thotë: “Në të shtoni katër të mira: dy të mira janë me të cilat e kënaqni Zotin tuaj, e dy të tjerat janë që nuk ka pasuri më të madhe për ju se ato. Sa u përket dy të mirave me të cilat e kënaqni Zotin tuaj, ato janë: të dëshmoni se nuk ka Zot përveç Allahut dhe të kërkoni falje prej Tij. E sa u përket atyre dyjave që ‘nuk ka pasuri më të madhe se ato’, janë: të kërkoni prej Allahut xhenetin dhe të kërkoni prej Tij që t’ju ruajë prej xhehenemit. E ai që një agjëruesit i jep diç të pijë, atij Allahu i jep të pijë nga kroi im, ashtu që nuk do të ndjejë etje derisa të hyjë në xhenet.”
Ebu Hamid El-Gazaliu
Agjërimi është zeqat për shpirtin, ushtrim për trupin, shkas për të mirë, siguri për individin dhe për shoqërinë, pastrim për zemrën, aftësi për mendjen. Ai ndikon pozitivisht për t’i parë gjërat objektivisht, meqë ngopja i shërben marrisë, bën komplikime në tru, e pengon të kuptuarit. Kështu që, kur fëmija ngopet, ajo e paaftëson mbamendjen dhe të kuptuarit e tij. Andaj, jepuni jetë zemrave tuaja me pak ushqim dhe me pak qeshje; ndërkaq pastrimi i tyre bëhet me uri, që njëherazi ndikon edhe në sinqeritetin dhe ndjeshmërinë e tyre.
Llokman Hakimi
O biri im kur ti e ngop lukthin, të menduarit bie në gjumë e urtësia hesht, ndërkaq pjesët e trupit pushojnë së adhuruari.
Imam Shafiu
Për agjëruesin në muajin e Ramazanit më e dëshirueshme duhet të jetë bujaria, duke përcjellë shëmbëlltyrën e Muhamedit (a. s.), sepse nevojat dhe interesat e njerëzve, si dhe angazhimi i tyre, duhet të jenë më shumë për adhurim sesa për fitim.
Dijeni se Allahu (xh. sh.) gjithçka ka krijuar dhe përcaktuar me urtësi, e cila shpesh është e pakuptueshmë për ne. Ai është Hakim – i Urti. Ai asgjë nuk ka krijuar për zbavitje dhe së koti.