Ahmeti: BDI, mbrojtëse e të gjitha komuniteteve të persekutuara

124

Image result for ali ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në vazhdën e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishte sot në Komunën e Mavrovë-Rostushes, ku u prit nga një numër i madh i simpatizantëve të tij dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Para banorëve të kësaj zone Ahmeti tha se ai dhe bashkëveprimtarët e tij janë dalëzotësit e vetëm të çështjes shqiptare dhe, me këtë, mbrojtës dhe kujdestarë edhe të pakicave tjera të cilët bashkëjetojnë me shqiptarët.

“As historikisht e as tradicionalisht ne nuk i kemi takuar euro-azisë, prandaj duhet edhe më fuqishëm të organizohemi në këto zgjedhje që të kemi mandate edhe më të forta. Sa u takon partive maqedonase, si VMRO-DPMNE dhe LSDM që hiqen si shpëtimtare mos të harrojmë se ato shanset i kanë pasur në vitet e 90-ta që të vendosin demokracinë në këtë vend, por që nuk e kanë bërë. Unë jam këtu që t’u them se ne duhet të bashkohemi, shqiptarë, boshnjakë e turq me qëllim që gjërat të ecin përpara”, u shpreh kryetari i BDI-së dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 6, Ali Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu tha se ka zbritur në Rostushe që t’u tregojë banorëve të kësaj ane se BDI asnjëherë nuk i ka harruar ata dhe që sistematikisht ka shfaqur interes për këtë pjesë të Maqedonisë.

“BDI është një forcë reale në këtë vend. Pa BDI-në nuk mund të funksionojë shteti dhe as institucionet e këtij vendi. BDI është forcë politike që nuk mbron vetëm interesat e shqiptarëve por të të gjitha komuniteteve në këtë vend që kanë qenë të persekutuar dhe të mohuar. Prandaj i jap të drejtë vetes edhe morale dhe kombëtare, që të kërkoj votat e të gjithëve në këtë vend pasi unë nuk kam llogaritur që të mbroj përmes ndërrimit të Kushtetutës vetëm shqiptarët, por të gjitha komunitetet pakicë që jetojnë këtu”, u shpreh kryetari i BDI-së dhe bartës liste në njësinë zgjedhore numër 6.

Shefi i Shtabit qendror, Bekim Neziri para banorëve të Rostushes tha se BDI do të bëjë të pamundurën që të përmirësojë mirëqenien ekonomike të banorëve të këtyre trevave.

“Prezenca juaj tregon qartë se kjo komunë ka vendin në politikat e BDI-së, në krye me liderin Ali Ahmeti. Më lejoni disa argumente në segmentin operativ. BDI, ose Shtabi qendror, që nga themelimi i saj gjatë vitit 2015 është organizuar në mbi 33 shtabe komunale dhe 277 shtabe vendore që presin detyra nga ne. Kjo tregon qartë se BDI ka një strukturë mirë të organizuar, strukturë kjo që do dalë fitimtarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Që të jemi fitimtarë është e padiskutueshme, këtë e tregojnë qartë edhe anketat që organizohen nga oponentët tanë politikë. Ne duhet të përcjellim mesazh që të jemi sa më të bashkuar, që të mbledhim sa më shumë vota që lideri ynë Ali Ahmeti të ketë më të lehtë të zhvillojë “betejat” në politikëbërje”, deklaroi Shefi i Shtabit qendror zgjedhor, Bekim Neziri.

Ahmeti bashkë me përfaqësuesit e BDI-së rikujtuan të pranishmit në tubim për rëndësinë e mos-përçarjes së votës shqiptare dhe të gjitha komuniteteve tjera. Qytetarët duhet të jenë syqelë që mos të kontribuojnë në fuqi-ngritjen e qarqeve të dyshimta anti-shqiptare.

Comments