Ish zbuluesi Sllobodan Bogoevski në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Shkup 2 tha se nuk ndjen nevojë t’u kërkojë falje Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit, të cilët e padisin për shpifje.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe ish zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, të cilët nuk erdhën në seancë, në padi kërkojnë gjithsej dëmshpërblim prej 5,5 milionë denarë. Ahmeti kërkon tre milionë denarë dëmshpërblim, ndërsa Xhaferi 2,5 milionë denarë.
Mbrojtja e Bogoevskit kërkoi nga Gjykata ta heqë padinë. Bogoevski konsideron se padia është absurde dhe se askund nuk ka folur për këtë rast përveç në Komisionin për mbrojtje dhe në Gjykatën në Nju-Jork.
Në dëshmimin para Gjykatës në SHBA Bogoevski, siç ishte publikuar në opinion, ka thënë se 7,5 milionë euro janë futur në Maqedoni për ryshfet të ish kryeministrit Vllado Buçkovski, Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit.
Ish drejtorët e “Magjar telekom”, Elek Shtraub dhe Andrash Balog, ishin të akuzuar në SHBA se u kanë dhënë ryshfet politikanëve të Maqedonisë, e pranuan fajin dhe u dakorduan të paguajnë dënime në të holla.