Ahmeti parashikon rezultatin që do të sjellin zgjedhjet lokale, ja cilat parti do të ketë rënie e cilat ngritje!

281
fresco

Njohësi i çështjeve politike, Xhemal Ahmeti ka folur për procesin e fushatës zgjedhore dhe për rezultatin që mund të na sjellin zgjedhjet e 22 tetorit.Ahemti në intervistën dhënë për “Gazeta Blic”, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë rënie ndërsa partitë e tjera me gjasë do të kenë ngritje.Sipas tij rezultatet e zgjedhjet parlamentare nuk mund të jenë kallëzues se kush mund të dalë fitues në zgjedhjet lokale.

Ai gjatë kësaj interviste ka thënë se do të ishte befasi sikur LVV të kishte rritje sikur në zgjedhjet nacionale.Përveç kësaj befasi do të ishte edhe sikur Arbër Vllahiu ose Arban Abrashi do ta fitonte Prishtinën dhe jo Shpend Ahmeti.Analisti politik, ka folur edhe për atë se cila nga partitë politik ka ditur të menaxhojë më mirë pjesën e fushatës zgjedhore.Më poshtë mund ta gjeni intervistën e plotë me Xhemal Ahmetin: Gazeta Blic: Jemi një ditë para përfundimit të fushatës zgjedhore, dhe desha të di nga ju si e cilëson rrjedh e gjithë kësaj fushate?Xhemal Ahmeti: Fushata do të ishte edhe shumë më e kulturuar dhe e barabartë, nëse disa media nuk do të shkaktonin nxitje dhe polemika të panevojshme ndërmjet garuesve; në stilin lëshoje një shpifje pastaj thirri kandidatët të diskutojnë rreth saj. Kështu duke lënë fare pak kohë debatimi rreth projekteve konkrete.
Përndryshe krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale, por edhe ato nacionale, këto të radhës dëshmojnë se partitë dhe elektoratet e tyre kanë përparuar shumë drejt një garrimi më demokratik, më kualitativ dhe më serioz.
Fushata nuk dallon as për të mirë e as për të keq nga vendet demokratike që bëhen si në Itali, Slloveni, Austri. Vërtet këtu vërehet një përparim i madh.Gazeta Blic: Cila nga partitë sipas jush ka përdorur strategji më të mirë gjatë këtij 30 ditësh?Xhemal Ahmeti: Të gjitha partitë kësaj radhe, sidomos të mëdhatë si LDK, LVV, PDK, AAK u përqendruan në projekte konkrete për çdo vend ku garojnë. Kjo tregon se ata vërtet kanë analizuar, punuar dhe kanë mësuar vërtet problemet dhe nevojat konkrete të vendeve ku duan pushtetin. Në këtë mënyrë edhe gara bëhet shumë më e ndershme dhe nuk huton votuesin, ngase ai do të vendos se a është salla e sporteve për të më e rëndësishme apo ujësjellësi. Ky seriozitet i partive shihet edhe në profilet e kryekandidatëve të tyre, shumica e të cilëve janë pozitiv dhe me përvojë. Natyrisht me përjashtime, të cilat mirëpo nuk janë rregull si në zgjedhjet e kaluara.
Nëse duam t’i krahasojmë se cila prej tyre pati strategjinë më të mirë do ta kemi rëndë, por dallohen si më të përgatitura ato me përvojë ekzekutive më të gjatë në këtë segment të pushtetit si LDK dhe PDK. Nga ana tjetër nuk e fsheh dot konfuzitetin LVV, e cila për herë të parë gjendet në këtë teren dhe kandidon edhe me kandidatë që paraprakisht janë të dënuar të humbin, ngase ekcesiv dhe bën lëshime duke rënë në retorika turbofolklorike, të cilat më shumë e dëmtojnë se ndihmojnë.Gazeta Blic: A besoni që zgjedhjet lokale do të sjellin rezultat të ngjashëm me zgjedhjet parlamentare, cila parti do të ketë rritje e cilat rënie?Xhemal Ahmeti: Shihet se partitë kanë dalë më me shkollë prej zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo shihet në konkretizimin dhe realitetshmërinë e premtimeve dhe zotimeve që bëjnë. Nuk ecin qiellit duke premtuar Zvicrën. Ato kanë reduktuar përdorimin e metodës së manipulimit me vetëdije të njerëzve vetëm për votën dhe asgjë tjetër.
E vetmja gjë që nuk ia doli asnjëra ta implementojë është inkuadrimi më aktiv i gjinisë tjetër në politikë, e cila vërtet ka fituar një autoritet të madh si politikbërëse. Ky do të ishte një hap i madh në rritjen e kualitetit të demokracisë. Partia që do ta provonte këtë edhe mund të sillte ndonjë risi interesante, kështu jo.
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk mund të merret si kallëzues i mundshëm se kush do t’i fitojë komunat. Atje mbizotëron një çelës dhe sjellje ndryshe votimi, ngase votimi është më pak abstrakt, më afër lëkurës: njerëzit nuk votojnë liderë dhe deputetë që do të rrinë në Prishtinë, por njerëz që aty në fshatin dhe qytetin e tyre duhet të zgjedhin probleme, prandaj këtu luajnë rolin kryesor profilet e ofruara e jo partitë si logo dhe ideologji. Harta e partive do të dal ndryshe nga ajo nacionalja. Partitë e reja, pa përvojë në politikat komunale dhe ato të vogla nuk duhet të presin shumë në këtë drejtim.
Nisur nga kjo analizë rënie të paraprogramuar do të ketë LVV por tjerat jo. Tjerat ndoshta edhe rriten një çikë.Gazeta Blic: A do të na sjellin befasi rezultati i këtyre zgjedhjeve?Xhemal Ahmeti: Befasitë janë gjithmonë të mundshme. Do të ishte befasi në LVV merr disa komuna konform përqindjes që ka në nivel nacional, por dyshojmë thellë.
Do të ishte një e tillë nëse Vllahiu do ta fitonte Prishtinën e jo Ahmeti apo Abrashi – edhe pse ky i fundit e ka një fatkeqësi të përkrahet edhe nga ato segmente të qytetit që dëmtojnë më shumë se sa ndihmojnë. Do të ishte skandaloze nëse tipa si ai Visar Korenica fitojnë komuna dhe të ngjashme. Megjithatë pasi gjithçka shkon në kuadër të lojës së demokracisë pluraliste befasitë mund të jenë minimale.

Comments