AHMETI: Përbetimet e BDI-së alternativa më e mirë për shqiptarët



BDI aktivitetet ditore të fushatës zgjedhore i vazhdoi në Komunën e Tearcës. Kryetari Ali Ahmeti para një numri të madh banorësh të zonës tha se BDI do t’i qëndrojë besnike bindjeve të saj dhe përbetimeve në të mirën e qytetarëve shqiptarë.
“Unë jam krenar që ne në vazhdimësi kemi ngritur kuadro, kemi punuar për të pasur njerëz të cilët marrin përgjegjësi dhe aspak nuk kemi gabuar. Nuk është sukses të ngelesh në vend, ose me njerëz e kuadro të kufizuar. Pa ma thuani një vend në rajon, kush bëri ndryshime dhe ato ndryshime të mos reflektojnë në hidhërime, por me vullnet nga të gjithë, këtë e bëri vetëm BDI-ja, një forcë që burim ka atdhetarinë, patriotizmin dhe historinë”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu para banorëve të Tearcës tha se copëtimi i votës shqiptare do të dëmtojë procesin e faktorizimit të çështjes shqiptare në vend.
“Dua populli që më ka besuar të di edhe brengat e mia, unë kam brengë se po copëtohet vota shqiptare. Nuk kam bërë hipokrizi kur kam thënë, le të bashkohen të gjithë dhe të fitojnë BDI-në, le të humb BDI, por mos të humbin shqiptarët, pasi humbja e shqiptarëve më dhemb mua dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të çështjes shqiptare. Qeveritë shkojnë e vijnë, shqiptaria, dinjiteti, ardhëria, duhet të mbeten”
Shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, z.Bekim Neziri para banorëve të Komunës së Tearcës tha se që një parti të dal në mejdan, duhet t’i përgjigjet popullatës se çka në fakt ka realizuar në të kaluarën.
“Do të duhet që të demantoj veten time para nëse nuk gaboj, thash se si i kemi punët në Tearcë, por kjo që e shoh këtu, të gjithë janë PRO politikave të Ali Ahmetit dhe PRO politikave të BDI-së. Se BDI është fitues absoliut në vendin tonë nuk ka asnjë dyshim, këtë jo që e themi ne të BDI-së, por këtë e thonë edhe atë që janë konkurent të BD-së, mirëpo kjo nuk duhet të na jep komoditt dhe ne të presim e mos të punojmë deri mëdatën 11 dhjetor, kjo duhet të na shtyj që nga sot të ndezim të gjithë motorët, të bindim ata që nuk mendojnë si ne se e vetmja forcë politike është BDI në krye me Ali Ahmeti. Fenomeni i përçarjes së votës shqiptare ështrë fenomen i rrezikshëm. Çdo subjekt politik qëështë i treti dhe garon, do të shkaktojë dëm.Votat e tyre do i humbin dhe ato do të shkojnë në mullirin e subjekteve politike maqedonase. Mos lejoni që vota e shqiptarëve t’i faktorizon blloqet politike maqedonase”, u shpreh Bekim Neziri.
Krerët e BDI-së para banorëve të Komunës së Tearcës thanë se nuk ka as qeveri, e as institucione që mund të bëhen pa pjesëmarrjen e Bashkimit Demokratik për Integrim,pasi ky subjekt politik është mbrojtësi i vetëm i kauzës shqiptare dhe nuk ka forcë që mund të përballet me të tjerët përveç BDI-së.