Ahmeti: Pro një njësie zgjedhore, Qeveria teknike me konsultim ndërkombëtar, BE dhe SHBA
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit të liderëve në konferencë për shtyp tha se ai është pajtuar që të ketë një njësi zgjedhore, ndërsa në lidhje me qeverinë teknike, Ahmeti tha se duhet të ketë konsultime me BE-në dhe SHBA-të.
“Kemi diskutuar për anëtarësimin e vendit në BE, çështje për të cilën të gjithë duhet të angazhohemi me përkushtim të madh. Kryeministri referoi për takimet që ka pasur me autoritetet evropiane, me çka ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar të gjindet zgjidhje sa më e shpejtë, me qëllim që vendi ynë të zë vendin e merituar në BE”.
“Sa i përket qeverisë teknike qëndrimi ynë është që duhet të konsultohemi dhe me bashkautorët e sjelljes së këtij ligji, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të”, tha Ahmeti.
“Gjithashtu diskutuam se duhet të bëhen konsultime shtesë për Kodin Zgjedhor, me çka ne pajtohemi që të ketë një njësi zgjedhore. Kam pika tjera për të cilat duhet t’i diskutoj me kryeministrin Hristijan Mickoski në një takim tjetër”, tha Ahmeti.

