“Lakmia e prish njeriun” tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti duke komentuar skandalin “Reket” që e çoi në paraburgim Prokuroren Speciale në largim Katica Janeva. Megjithatë lideri i integristëve nuk mendon se prapa këtij skandali qëndron ndokush që e ka planifikuar rastin.
“Populli ynë e ka një shprehje, një filozofi të jashtëzakonshme, lakmia e prish çdokë. Unë mendoj se këtu është punë lakmie dhe këtu sipas vlerësimeve të mia nuk ka të bëjë me ndonjë skenar, sepse për të hyrë në këto skema, se ka skenar këtu e s’ka aty, kjo do të thotë se duhet të largohemi nga objektivi për ta zbuluar të vërtetën” deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti nuk e fsheh zhgënjimin nga “Reketi”, të cilin e quaji më shumë se një skandal.
“Jo vetëm që jemi të zhgënjyer por edhe të dëshpëruar sepse është një jehonë mjaft e keqe për drejtësinë. Prokuroria Speciale është zgjedhur për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të vendosur drejtësinë në vend dhe jo për të hapur pisllëqe më të mëdha” tha Ahmeti.