Ahmeti shpalosi propozimin por jo dhe emrin e kandidatit për kryeministër shqiptar

300

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti shpalosi idenë për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni të Veriut. Ndonëse nuk tha as edhe një fjalë të vetme për mënyrën se si do të arrihet ky qëllim, Ahmeti duke e cilësuar si ide mbi partiake dhe jashtë personales, i ftoi gjitha partitë t’i bashkohen këtij qëllimi.

Kjo ide është shumë më e madhe se çdo parti apo cilido person. Kjo ide nuk ka të bëj me BDI-në dhe sigurisht jo me mua. Kjo është një thirrje për të gjithë partitë shqiptare, të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët, për të mbështetur kauzën tonë e cila është më e madhe se të gjithë ne – deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ndonëse fliste për kauzë kombëtare shqiptare, Ahmeti në disa raste idenë e kategorizonte edhe si interes multietnik. Fliste edhe për luftë edhe për bashkëjetesë.

Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar. Së bashkë mund t’i tregojmë botës se Maqedonia e Veriut me të vërtetë mund të jetë një shoqëri, ku të gjithë do të mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre dhe të ndjehen të barabartë -tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Nga BDI thonë se për momentin nuk kanë emër për mandatar.

Adrian Kerimi

Comments