Akuzat ndaj Gruevskit, protesta gjatë natës në Maqedoni

226

Mbështetës të partisë së Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE, kanë protestuar mbrëmjen e së enjtes përpara Gjykatës Penale në Shkup, ku Prokuroria Speciale e Maqedonisë dorëzoi një ditë më parë 17 aktakuza, shoqëruar me kërkesën për veprime paraprake dhe masa ndalimi për një sërë anëtarësh të lidershipit të kësaj partie, përfshirë vetë Gruevskin.

Akuzat u depozituan dy ditë përpara skadimit të afatit mbi ngritjen e padive që burojnë nga dhjetëra hetime. Gjykatësit tani duhet të dalin me një vendim brenda 24 orësh. Në një deklaratë të saj, LSDM-ja shprehet se qytetarët patën mundësinë të dëgjojnë, shohin dhe ndjejnë sundimin kriminal dhe antishtetëror të Gruevksit e VMRO-së.

Kjo parti u pasurua në kurriz të varfërimit të shtetasve të shtypur të këtij vendi. Tani, vazhdon deklarata, drejtuesit e saj përballen me përgjegjësinë e veprave të tyre. Ata duhet t’i japin fund përpjekjeve për të shmangur drejtësinë e për ta vendosur veten mbi ligjin. Që të gjithë, thuhet më tej, përfshirë Gruevksin dhe lidershipin e VMRO-DPMNE-së, duhet të japin llogari përpara një sistemi gjyqësor të pavarur e profesional.

Komisioni Europian “i ka lënë detyrë” kryeministrit të ri Zoran Zaev dhe qeverisë së tij implementimin e reformave urgjente prioritare me qëllim forcimin e ligjit, në mënyrë që në tetor të sigurohen rekomandimet nga Brukseli për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Comments