Akuzat për krime lufte, Putin: janë retorikë pa vlerë



Ai deklaroi për një medium francez se akuzat ishin thjesht retorikë dhe nuk marrin në konsideratë realitetin në Siri.
Zonat lindore të qytetit të dytë më të madh në Siri janë nën bombardim të ashpër pas dështimit të armëpushimit muajin e shkuar.
Putin deklaroi për televizionin TF1 se Rusia do të përndjekë terroristët edhe nëse ata fshihen mes civilëve.
“Nuk mund të lejojmë që terroristët të përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe t’i bëjnë shantazh të gjithë botës. Viktimat civilë janë një realitet i hidhur i luftës”,- theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Duke hedhur poshtë akuzat se Rusia po bën krime lufte në Alepo, Putin tha se vendet perëndimore, me në krye ShBA-të, janë përgjegjëse për situatën në Siri.
“Jam thellësisht i bindur se janë partnerët tanë perëndimorë, para së gjithash Shtetet e Bashkuara natyrisht, ata që janë përgjegjës për situatën”,– u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Më herët, presidenti francez, François Hollande, sugjeroi se sulmet ajrore ruse në Alepo mund të jenë krime lufte.
Por, pavarësisht akuzave për situatën në Alepo dhe dështimin e armëpushimit, mësohet se Rusia dhe ShBA-të do të rifillojnë bisedimet për Sirinë.
Pritet që të shtunën kryediplomati amerikan, John Kerry, të takohet në Zvicër me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
Në takim do të marrin pjesë edhe fuqi të tjera rajonale si Turqia, Irani dhe Arabia Saudite.