Alarmi për bombë te Report TV, shoqërohet në komisariat personi që bëri njoftimin fals
Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat personin që njoftoi për alarmin fals për bombë në televizionin informativ Report TV dhe gazetën Shqiptarja.com, pjesë e të njëjtit grup mediatik.
I shoqëruari është Shkëlqim Tarja, personi që dërgoi mesazh në redaksinë e televizionit. Ai po merret në pyetje nga policia dhe po punohet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Më datë 23.08.2016, rreth orës 13:25, në numrin e emergjencave 112, ka njoftuar një gazetar i televizionit Report TV, se në ambjentet e Report TV, mund të ketë një sasi me lendë eksplozive, pasi i kanë dërguar një mesazh kërcënues.
Në adresën e dhënë janë dërguar forca të shumta të policisë dhe morën të gjitha masat si dhe u bë evakuimi i punonjësve.
Pas kontrollit të ambienteve të Report Tv nuk është gjetur lëndë eksplozive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e shtetasit Shkëlqim Tarja, si autorë i dyshuar i këtij kërrcënimi.
Grupi hetimor po vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij incidenti.