“Aleanca për shqiptarët”: Vota për BDI-në është votë e djegur

“Aleanca për shqiptarët” mbrëmë para simpatizantëve në Tetovë ka prezantuar kandidatët për deputetë, programin dhe platformën e saj.
Liderët e partive të koalicionit thanë se kriza politike dhe shkatërrimi i ekonomisë janë pasojë e qeverisjes së gabuar.
“Unë dhe këta shqiptarët që janë këtu po të themi ti i dogje 153.000 vota që i more në vitin 2014 dhe tani çdo votë që shkon për ty dhe BDI-në është votë e djegur”,- u shpreh kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
“Flasin po ashtu në letër se bashkëpunojnë me qytetarët për të ngritur një nivel më të lartë standardin ekonomik. Standardi ekonomik i yni, unë do isha përgjigjur: është stomaku që e ka marrë me vete i riu i ynë dhe ecën e kërkon bukë në Europën perëndimore ose në ShBA, ky është standardi që është arritur gjatë kësaj kohe”,- tha kryetari i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.
“Sot e kësaj dite i ke politikanët shqiptarë që përdorin fjalorin e njëjtë: na jepni votën se ne do të ndryshojmë, se ne do të ndryshojmë statusin e shqiptarëve në Maqedoni. 25 vite jemi duke e dëgjuar muzikën e njëjtë dhe asgjë nuk është arritur deri më tani”,- theksoi kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
Sipas tyre, instituti që i bën shqiptarët të barabartë në të gjitha sferat, si në drejtësi, buxhet, zyrtarizim të gjuhës shqipe është institucioni i votës, i cili me 11 dhjetor do shkojë për “Aleancën për shqiptarët” dhe për ndryshimin.