Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka qenë prezent sot në Gllogjan për të nderuar Epopenë e Dukagjinit me rastin e vjetorit të 20-të.
Ai përmes një postimi në Facebook thotë se Dukagjini së bashku me Prekazin kishin nisur rrugën e pakthim të ngadhënjimit, transmeton Koha.net.
“20 vjetori i Epopesë së Dukagjinit shënon një nga datat më të lavdishme të betejave tona të mëdha që mobilizoi një komb të tërë dhe bashkë me betejën e Prekazit, nisi rrugën e pakthim të ngadhënjimit”, ka shkruar Ahmeti.
Ai në veçanti ka kujtuar heronjtë e kombit, Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi e Ilir Konushevci.
“Sot, në veçanti kujtoj edhe flamurtarët e kësaj epopeje Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi dhe Ilir Konushevci bashkë me të gjithë të rënët për liri dhe pavarësi. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit”, ka shkruar ai.

