Ali Ahmeti: Një ditë me rëndësi kombëtare për të gjithë shqiptarët
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar lidhur me zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diele në 80 komuna në Maqedoninë e Veriut. Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” shkuan se të gjithë qytetarët kanë mundësinë të shkojnë drejt kutive të votimit për të përcaktuar të ardhmen e komunave dhe vendit.
Ai ka publikuar pamje nga votimi në Zajzë, vendlindja e tij në Kërçovë. Ahmeti gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë me dinjitet kombëtar dhe njerëzor.
“Vëllezër dhe motra, Këto zgjedhje nuk janë vetëm lokale, por kanë rëndësi shumë të madhe kombëtare. Kjo u dëshmua dhe u vërtetua gjatë fushatës zgjedhore, por edhe gjatë gati dy viteve të kaluara.
Ju vetë, më mirë se kushdo tjetër, e dini se si jeni ndjerë gjatë gjithë këtyre muajve dhe atë ndjenjë tani e keni mundësinë ta manifestoni në kutitë e votimit. Ju ftoj të gjithëve që ta ushtroni të drejtën e votës me dinjitet kombëtar dhe njerëzor.
Apeloj për proces të qetë, demokratik dhe të lirë, si dhe për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje kaq të rëndësishme për të ardhmen e vendit, jo vetëm të komunës”, shkruan ai.