Althauzer: Zgjedhjet dhe PSP-në me rëndësi për Maqedoninë



Ambasadorja gjermane në Maqedoni, Kristin Althauzer, ka vlerësuar se zgjedhjet në Maqedoni janë një ngjarje e rëndësishme, veçanërisht për tejkalimin e krizës politike dyvjeçare.
Sipas Althauzer, përpos zgjedhjeve, të rëndësishme janë hapat që do të ndërmerren pas zgjedhjeve.
“Për tri javë do të mbahen zgjedhjet në Maqedoni, kjo është një ngjarje mjaft e rëndësishme. Me rëndësi është që ky proces të jetë fer, i rregullt dhe të përfundojë mirë. Më 11 dhjetor do të mbahen zgjedhjet, ndërkaq të rëndësishme do të jenë hapat që do të ndërmerren pas zgjedhjeve, e ato janë reformat në sistemin gjyqësor”,– deklaroi ambasadorja e Gjermanisë, Kristin Althauzer.
Altahuzer gjithashtu komentoi edhe punën e Prokurorisë Speciale. Sipas saj, veprimi i Speciales është tejet i rëndësishëm.
“Katër partitë politike të Marrëveshjes së Përzhinës u morën vesh që të ekzistojë ky institucion. Edhe Komisioni i BE-së solli vendimin për mbështetjen e Prokurorisë Speciale”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë, Kristin Althauzer.
Komentet e tilla ambasadorja gjermane i ka bërë në debatin shkencor “Dënimet gjyqësore dhe zbatimi i masave alternative në gjyqësorin e Maqedonisë”.