Ambasada amerikane: Masakra e Reçakut nuk duhet të harrohet kurrë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përkujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada ka bërë të ditur se zëvendësshefi në detyrë i misionit diplomatik, Josh Peterson iu bashkua liderëve, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në këtë përkujtim.
Në mesazhin e saj, Ambasada e SHBA-së e cilësoi masakrën e Reçakut si një akt tmerri të papërshkrueshëm që tronditi botën, duke nënvizuar se kujtimi i viktimave duhet të shërbejë si thirrje për të mos harruar kurrë atë që ndodhi.
“Le të qëndrojë kujtimi i tyre si një rikujtim i detyrës sonë të përbashkët për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin, dhe si thirrje për të mos harruar kurrë atë që bota pa”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.
Masakra e Reçakut, e ndodhur në janar të vitit 1999, konsiderohet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë. /Telegrafi/

