Amendamentet e VMRO-së për shqipen do të shkojnë në shportë?

281

Ligji për përdorimin e gjuhëve është rikthyer përsëri në Parlament vetëm për shkak se presidenti Gjorgje Ivanov nuk e dekretoi atë, ndërsa kjo nënkupton se Parlamenti tani duhet të hapë debat amendamentesh për të, thonë analistët politikë në Maqedoni.

Një pjesë e madhe e amendamenteve që i ka dorëzuar partia opozitare VMRO-DPMNE për ligjin e avancimit të gjuhëve do të refuzohen si të pasakta dhe të pakompletuara, thonë burime partiake nga shumica parlamentare për Zhurnal.

“Debat do të ketë para votimit të këtij ligji, por siç theksojnë, ai debat nuk do të zgjasë shumë dhe nuk do t’i përfshijë të gjitha 35 mijë e 569 amendamentet e VMRO-së. Parlamenti i Republikës së Maqedonisë po harton strategji të re dhe për një kohë të shkurtë do ta vë në funksion”, thonë burime partiake për Zhurnal, të cilat zbulojnë se grupi parlamentar i LSDM-së ka marrë urdhër nga partia që nga dita sotme (e hënë) prania e tyre në Parlament është e obligueshme dhe e patjetërsueshme, por siç thonë, ende nuk e dinë se cila seancë parlamentare do të jetë në rend dite.

Amendamentet që do të mbeten në “lojë” do të grupohen, dhe në këtë mënyrë do të shkurtohet edhe debati parlamentar mbi to, theksoi ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, në intervistën e saj për Tv24.

“Vlerësoj se pjesa më e madhe e amendamenteve që i ka parashtruar opozita për Ligjin e gjuhëve nuk janë amendamente të cilat mund të shqyrtohen në këtë fazë. Ne nuk duam që ta bëjmë të njëjtin gabim në të cilin Qeveria do ta diktojë tempon e vendimeve të Parlamentit, por presim që në një afat sa më të shkurtë të gjendet një zgjidhje dhe Parlamenti të vendoset në funksion”, ka thënë ministrja Shekerinska, e cila është një nga zyrtarët më të lartë të partisë në pushtet LSDM.

Nga partia opozitare VMRO-DPMNE, thonë se refuzimi eventual i një pjese të amendamenteve do të paraqiste shkelje klasike të Rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës, siç theksojnë, është e pamundur që të refuzohen amendamente për arsye se ato tani më janë shpallur edhe në version online nga ana e Parlamentit dhe se kanë hyrë në procedurë parlamentare.

“Nëse amendamentet nuk ishin në rregull, atëherë është dashur që të njëjtit most ë pranohen dhe të kthehen në përpunim gjatë procesit të dorëzimit. Ja tërheqim vërejtjen pushtetit se në të ardhmen nuk duhet të kërkojë mbështetjen e tonë për shumicë të dyfishtë nëse tani na shkurton të drejtën për debat parlamentar”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Analisti politik Petar Arsovski sqaron nëse Ligji për përdorimin e gjuhëve përsëri është rikthyer në Parlament vetëm se presidenti Ivanov nuk e dekretoi Ligjin, ndërsa siç thotë Parlamenti nuk duhet të hapë debat të ri parlamentar.

“Nuk duhet të ketë debat të ri amendamentesh për arsye se bëhet fjalë për të njëjtin ligj i cili nuk është ndryshuar në normativën e saj nga versioni I parë që është miratuar. Ky është një argument që pse nuk duhet të pranohen një pjesë e amendamenteve të opozitës maqedonase”, sqaron Arsovski.

Comments