Amnesty International: UNMIK-u të kërkojë falje për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin

300

Amnesty thotë se një “hetim i pavarur për vrasjet asnjëherë nuk është hapur në Kosovë”.

Organizata Amnesty International i ka bërë thirrje misionit të OKB-së në Kosovë “që të kërkojë falje për dështim në mbrojtjen e jetës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit dhe të gjithë të lënduarve të tjerë” në demonstratën e organizuar më 10 shkurt 2007 nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë.

Amnesty gjithashtu kërkon që “të gjithë të ankuarve t’u jepet dëmshpërblim i plotë për dëmin e përjetuar”, njofton Radio Europa e Lirë.

Në një raport të tij të publikuar të premten, Amnesty International i ka bërë thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të OKB-së që të zbatojë në tërësi rekomandimet e bëra në Opinionin e Marsit të vitit 2015 me të cilin kërkohet dëmshpërblimi për viktimat dhe familjet e tyre si dhe marrja e hapave të mëtejmë për të siguruar se autorët janë sjellë përpara drejtësisë.

Dy veprimtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini e Mon Balaj, humbën jetën gjatë një përpjekjeje të policisë së Kombeve të Bashkuara për shpërndarjen e një proteste të kësaj lëvizjeje në shkurtin e vitit 2007.

Pak kohë më vonë, një prokuror amerikan Robert Dean, drejtoi hetimet që vërtetuan se Xheladini dhe Balaj u qëlluan me plumba gome nga pjesëtarët rumunë të policisë së UNMIK-ut. Policët u kthyen në Rumani para përfundimit të hetimeve.

“Ata vdiqën pasi pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë nga Rumania që vepronin në kuadër të Misionit të OKB-së në Kosovë, shtinë me plumba gome mbi protestuesit. Të tjerë u lënduan rëndë”, tha Amnesty në raportin e tij.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut “hetimet e brendshme të UNMIK-ut në vitin 2007 patën nxjerrë përfundimin se të dy janë vrarë nga përdorimi i plumbave të kauçukut por dështuan që të identifikojnë përgjegjësit duke kërkuar llogari”. Gjithashtu në raport theksohet se “plumbat e kauçukut ishin jashtë afatit të përdorimit dhe ishin shkrepur drejt në demonstrues nga një numër prej 10 pjesëtarë të policisë rumune”.

Në raport theksohet se familjeve të Mon Balajt dhe të Arben Xhelaidnit si dhe dy personave të tjerë të lënduar u janë ofruar kompensime materiale por jo edhe dëmshpërblime të tjera.

Amnesty thotë se një “hetim i pavarur për vrasjet asnjëherë nuk është hapur në Kosovë”.

Comments