
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka shprehur dyshime për dallavere me vota në Shtime.
Ai ka thënë se është gjetur një fletëvotim fals, dhe mungon origjinali, duke alarmuar për dyshimet e trenit bullgar.
Postimi:
Prishtinë, 15 tetor 2025
Nga pozita ime si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me parregullsitë serioze të evidentuara në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, Komuna e Shtimes.
Bazuar në të dhënat e paraqitura, ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni Bullgar”, gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente përbëjnë dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
Në këtë drejtim, ftoj organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe organet e tjera hetimore, që të ndërmarrin hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm për këtë rast, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend. Çdo kërkesë mëpas e subjekteve politike, pavarësisht përkatësisë, do të jetë legjitime dhe e arsyeshme, pasi vullneti i popullit duhet mbrojtur dhe respektuar në çdo rrethanë.
KQZ dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, transparent dhe i mbrojtur nga çdo formë manipulimi.
Ilir Gashi
Anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)