Anëtari shqiptar në duart e partive

187
Anëtari shqiptar në duart e partive

Dy ditë para takimit të liderëve më 31 gusht, anëtarët maqedonas të Komisionit ad-hok për monitorimin e mediave nuk kanë mundur të bien dakord për anëtarin shqiptar. Pasditen e së hënës në emër të katër anëtarëve për media u prononcua Goran Tërpenosvki, duke përmendur faktin se shumë shpejtë do të dalin me vendim, ndonëse theksoi se të gjitha opsionet janë në lojë. “As sot nuk arritëm marrëveshje, por konsultimet vazhdojnë. Janë të hapur të gjitha opsionet. Jemi optimist se deri në afatin e fundit, më 31 gusht, do të sjellim vendim. Nuk do të japim shumë detaje për të mos dëmtuar procesin, sepse jemi në presion të kohës dhe me koka të qeta do të duhet ta zgjedhim anëtarin e pestë”, tha anëtari Goran Tërpenovski.

Ai shtoi se po përpiqen që Komisioni të mos jetë shkak për mosmbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor, duke theksuar se gjatë konsultimeve po mbështeten te profesionalizmi i kandidatëve, e jo siç tha Tërpenosvki, se a kanë qenë anëtarë tek ndonjë parti politike. “Po përpiqemi bashkërisht që Komisioni ad-hok të mos mbetet shkaku kryesor për mos mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor. Profesionalizmi, kjo na intereson më shumë, jo informacionet se ka qenë apo jo në ndonjë parti, sepse duhet të vendosim për punë serioze”, tha Tërpenovski. Ai përsëriti qëndrimi e anëtarëve tjerë se partitë politike nuk kanë dorëzuar emra tek Komisioni, por e la të hapur mundësinë partitë të vendosin përfundimisht për anëtarin e pestë.

“Ju thash që të gjitha opsionet janë në lojë, por ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë”, iu përgjigj Tërpenovski pyetjes së gazetarëve nëse partitë mund të vendosin për emra tjerë. Sipas burimeve brenda Komisionit ad-hok, anëtarët maqedonas përveç kandidatëve Sefer Tahiri dhe Daut Dauti, partive do t’u propozojnë edhe dy emra tjerë nga aplikuesit. Këto burime shtojnë se të hënën dhe të martën do të kenë konsultime joformale me partitë politik për të parë qëndrimet tyre rreth kandidaturave nga anëtarët e komisionit, por pa përjashtuar aspak mundësinë që i pesti të zgjidhet me konsensus nga jashtë jo edhe nga 11 personat që kanë aplikuar parmes shpalljes publike.

Takimi i radhës i katër anëtarëve maqedonas: Sllagjana Dimishkova, Cvetin Çilimanov, Lubomir Kostovski dhe Goran Tërpnosvki do të fillojë të martën në ora 12, në lokalet e Agjencisë për media. Sipas marrëveshjes së fundit politike, anëtari i pestë duhet të jetë shqiptar, por BDI u tërhoq të propozojë emër, siç bënë LSDM dhe VMRO, duke e arsyetuar me këtë se informimi dhe raportimi balancues janë problem i mediave maqedonase e jo edhe për mediat shqipe. Po sipas marrëveshjes politike, afati ishte 24 gushti për kompletimin Komisionit ad-hok, i cili do të fillojë më punë sipas ligjit, respektivisht 100 ditë para zgjedhjeve duke qenë i lidhur me datën e zgjedhjeve, afat i cili u vazhdua deri në takimin liderëve më 31 gusht.

Këto zgjedhje do të jenë precedent për nga monitorimi i mediave dhe fshirja mundshme e mbi 30 mijë votuesve të kontestuar. Të premten Këshilli i Agjencisë për media bazuar në marrëveshjen e fundit për zbatimin e kushteve para zgjedhjeve, tha se do të zbatojë sistemin francez, në të cilin vihet theksi te përcjellja e aktiviteteve të Presidentit të shtetit 100 ditë para zgjedhjeve, funksionarëve shtetëror dhe shoqatave joqeveritare, aktivitet e të cilave lidhen me debatin politik parazgjedhor. Çdo dhjetë ditë Komisioni ad-hok do të vlerësojë raportet ditore nga grupet e punës të Agjencisë për media për të gjitha mediat difuze dhe radiodifuze, ndërsa do të vendosë për dënimet, duke filluar nga vërejtja e deri tek paditë në Gjykatën administrative, ndërsa lartësia e dënimeve shkon deri në 4 mijë euro.

Ndërkaq, mbi 30 mijë votuesit që nuk u paraqiten për 25 ditë për t’u regjistruar në KSHZ e kanë dhe një shans gjatë 15 ditëshit të shqyrtimit publik që ta shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim. Ndryshe, nëse edhe gjatë kësaj kohe nuk paraqiten, këto do votues nuk do jenë pjesë e Listës zgjedhore gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 1 dhjetor. Pas takimit të liderëve politik më 31 gusht, më 2 shtator sipas marrëveshjes politike LSDM duhet të përzgjedh emrin për kryeredaktor të TVM1, emër që duhet jetë i pranueshëm për partitë tjera politike, ndërsa deri më 11 korrik duhet të zgjidhet edhe Qeveria teknike, kur LSDM do të merre pjesë me ministra në dikasterin e punëve të brendshme dhe të punës dhe politikë sociale dhe zëvendësministra në dikasterin financave, bujqësisë, shoqërisë informatike dhe administratës publike. /Koha/

Comments