Anglezët blejnë klubin shqiptar
Hapet drita jeshile për shitjen e klubit të futbollit Elbasani te kompania angleze “Level Up SA”.
Këshilli Bashkiak i qytetit ka dhënë sot miratimin për kalimin e 54 për qind të aksioneve në pronësi të investitorëve britanikë kundrejt 50 milionë lekëve. Kërkesa, e cila kishte mbërritur prej disa ditësh në Bashki, u shqyrtua nga ekspertë e më pas i kaloi për diskutim Këshillit Bashkiak.
Ndërkaq, edhe bashkëpronari tjetër i klubit, Arben Laze, e ka shitur pjesën e vet prej 46 për qind të aksioneve, çka do të thotë se “Level UP” është pronari i vetëm i klubit verdheblu.
Drejtuesit e kompanisë angleze u zotuan se do të investojnë me synim rritjen e nivelit të futbollistëve. Gjithashtu ata premtuan se do të krijojnë një akademi sportive si dhe do të ndërtojnë disa kënde e ambiente sportive në qytetin e Elbasanit për stërvitjen e lojtarëve dhe organizimin e aktiviteteve sportive.