Ankohen banorët e Lisiçes së Epërme, nuk janë në listën e të dëmtuarve nga përmbytjet (VIDEO)



Kështu ishin vërshuar shtëpitë e lagjes Lisiçe të Epërme në komunën e aerodromit. Pas 6 gushtit, kur edhe ishin vërshuar shtëpitë e tyre, banorët e kësaj lagje thonë se i ka vizituar Komisionin për vlerësimin e dëmeve, por megjithatë nuk janë në listat për dëmshpërblime.
“Ndihmë na kanë ofruar vetëm me cisterne për të larguar ujin, kurse ndihmë tjetër nuk kemi pasur. Çdo kund që po trokasim na thonë se neve të komunës së Aerodromit nuk jeni në listën e dëmeve siç është komuna e Gazi Babës. Këtu kam banuar dhe kam pasur pajisje shtëpiake si frigorifer, shporet dhe sende tjera”, u shpreh Berat Islami, banor i lagjes Lisiçe e Epërme.
“Nuk ka qenë askush hiq, vetëm erdhën të shkruajnë se çfarë kemi pasur të dëmtuar dhe nuk na kanë thirë fare. Ne jemi në këtë gjendje sa kemi mundur kemi blerë vetë. Na u dëmtuan shumë maqina që punojmë me ato, veturën. Bile edhe dera ime është dëmtuar dhe tani është ftohtë”, tha Vasije Veseli, banore e lagjes Lisiçe e Epërme.
Bajram Shabani, banor i kësaj lagjeje thotë se si shkaktar i përmbytjeve në këtë pjesë, është ura e cila po ndërtohet, ku sipas tij, ka penguar rrjedhën e ujërave që kalojnë në këtë pjesë.
“Urën e kanë betonuar sipas tyre, por unë punoj në ndërtimtari dhe në këtë nivel nuk kam parë asnjëherë. Këtu ka penguar rëra ku uji nuk ka mundur të depërtojë nëpër gypat e kësaj ure”, tha Bajram Shabani, banor i lagjes Lisiçe e Epërme.
Nga komuna e Aerodromit, thonë se Komisioni për vlerësim lokal ka mbaruar punën në terren, tek ata që janë lajmëruar se kanë qenë të vërshuar nga përmbytjet e 6 gushtit. Nga Sektori për informim në këtë komunë, njoftojnë se listat i kanë dorëzuar në Komisionin për ekspertizë ligjore dhe pritet që për disa ditë të formohen lista për pjesët e tjera të vërshuara të Shkupit./