Antiterrorizmi: Të dyshuarit për sulmin në Kuvend u arrestuan për shkak të parandalimit të sulmeve tjera

185
Antiterrorizmi: Të dyshuarit për sulmin në Kuvend u arrestuan për shkak të parandalimit të sulmeve tjera

Fatos Makolli, Drejtor i Njësisë Kundër Terrorizimit në Policinë e Kosovës, në një konferencë për media në lidhje me sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, tha se ky takim me media po mbahet për të sqaruar opinionin në lidhje me hetimet dhe arrestimet e 6 të dyshuarve për sulmin në fjalë.

“Nga pozita e Drejtorit, jam udhëheqës i të gjitha hetimeve në kuadër të antiterrorizmit. Dua t’i siguroj qytetarët se të gjitha hetimet në departamentin tonë kryhen me profesionalizëm”, tha Makolli, raporton Koha.net.

Ai përsëriti edhe njëherë të dhënat për rastin, duke thënë: Kuvendi i Kosovës është goditur me mortajë dore, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Të nesërmen është dërguar komunikata nga “RUGOVASIT”, në të cilën kishte edhe kërcënime për sulme tjera ndaj institucioneve. Pas kësaj, Makolli tha se drejtoria e terrorizmit ka filluar hetimet, dhe kanë arritur në dy pista: identifikimi i kryesve të veprës dhe identifikimi i “RUGOVASVE”.

“Kemi grumbulluar informata për motorin e përdorur në sulm. U identifikuan pronarët e mëhershëm të motorit, u identifikua kush e ka sjellë në Kosovë dhe kush e ka shitur. Identifikimi është leshu nga një telefon që e kemi gjet kush është. Është arritur të identifikohet kush e ka pas telefonin e “RUGOVASVE”. Personi ka deklaruar se atë ditë e ka shitur telefonin te një shitës ambulant, i cili e ka blerë atë ditë dhe e ka shitur menjëherë. E kemi gjetur kush e ka blerë dhe lëvizjet deri te dërgimi i komunikatës nga telefoni”, ka thënë Makolli.

Në anën tjetër, Makolli ka konfirmuar se është vërtetuar se motori u shit më 17 korrik 2016.

“I kemi identifikuar kush e ka kontaktuar pronarin me telefon dhe e kanë blerë motorin. Janë përcjellë të gjitha lëvizjet e motorit. Pas hetimeve dhe analizimit të tyre dëshmive, kemi konstatuar se të dyshuarit kane organizuar, planifikuar dhe ekzekutuar sulmin mbi Kuvendin e Kosovës”, ka sqaruar Makolli.

Makolli shtoi se gjatë bastisjeve në shtëpitë e personave të arrestuar, ata nuk kanë deklaruar asgjë dhe nuk kanë pranuar të intervistohen nga Policia.

Aksioni, sipas Makollit, është ndërmarrë në pajtim me gjykatën, për shkak të parandalimit të sulmeve tjera, por hetimet tha se nuk kanë përfunduar dhe po vazhdojnë ende.

Comments