AP: Presidenti popullist u akuzua si tradhtar nga opozita në parlament

128

Agjencia amerikane Associated Press (AP) ka raportuar për seancën e posaçme të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, duke thënë se presidenti popullist i vendit, Aleksandar Vuçiq, u ndesh me armiqësi nga opozita, e cila e akuzoi atë për tradhti të vendit.

Në seancë ka pasur shumë tensione dhe shtytje, si dhe akuza të ndërsjella me britma ndërmjet përfaqësuesve të partisë në pushtet të Vuçiqit dhe deputetëve të opozitës, raporton AP.

Deputetët e opozitës kanë brohoritur “Tradhti, tradhti” dhe “Kosovën nuk do ta japim” dhe kërkuan dorëheqjen e Vuçiqit, i cili u kundërpërgjigj duke i bërtitur dhe duke i akuzuar ata se janë “hajna dhe tradhtarë”.

Agjencia raporton gjithashtu se Vuçiq gjatë seancës kaotike në parlament paralajmëroi se Serbia mund të bëhet “fundërrinë evropiane” nëse refuzon planin perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiq ka thënë se plani, i cili nuk është publikuar zyrtarisht, parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, edhe pse nuk do të duhet ta njohë zyrtarisht shtetësinë e Kosovës, raporton AP.

Agjencia deklaroi gjithashtu se plani perëndimor për Kosovën u përshkrua nga deputetët e linjës së ashpër të opozitës pro-ruse si një ultimatum, me pretendimet se kjo do të thotë se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian./Paparaci

Comments